Kryeministri Edi Rama ka vizituar ditën e sotme Vilën 31, ish-shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, mbi të cilën u qëllua ditën e djeshme me molotovë nga protestuesit e Partisë Demokratike.
AI ka publikuar një video krah Drejtoreshës ekzekutive të fondacionit Art Explora, e cila e ka selinë pikërisht në atë objekt, teksa ka hedhur akuza mbi gjykatësit që sipas tij paguhen “sa frëngu pulën” dhe i nxjerrin prapë në rrugë zjarrvënësit sapo i arreston policia.
“Jam këtu me Drejtoren ekzekutive të fondacionit Art Explora. Vila 31, ish-shtëpia e diktatorit, selia e fondacionit prestigjioz Art Explora, që u godit mbrëmë nga flakët e plehrave të kazanit të ligësisë tetëdhjetë e kusur vjeçare, për turpin e madh jo të kriminelëve të paguar për të hedhur bombat artizanale që prodhohen në selinë e PD-së, as për turpin e PD-së, se PD-ja është një coftinë që s’ka më as fuqi të ketë turp, po për turpin e atyre gjykatësve që paguhen si frëngu pulën nga taksat e shqiptarëve dhe i nxjerrin prapë në rrugë zjarrvënësit sapo i arreston policia”, shkruan Rama.