Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi përmes një mesazhi ka parlajmëruar se të premten ora 12:00 do të zhvillohet takimi i partive politike të opozitës, për krijimin e Koalicionit të Opozitës së Bashkuar.
“Nesër e premte, ora 12:00, në sallën “Antigonea”, Hotel Rogner, do të zhvillohet takimi i partive politike të opozitës, për krijimin e Koalicionit të Opozitës së Bashkuar. Takimi në pjesën e parë do të jetë i hapur për mediat. Ju falenderoj!”, shkruan Bardhi.
Ky takim vjen pas bashkimit të grupit të Bardhit me atë të Rithemelimit, në selinë e PD.
Ndryshe nga sa ndodhi në 8 janarin e dy viteve më parë, ku mes Flamur Nokës dhe Gazment Bardhit kishte vetëm urrejtje, dy deputetët nga armiq sot janë kthyer në miq dhe ditën e djeshme ata shkuan në kryeqendrën e veriut për t’i dhënë mesazhin e pajtimit edhe bazës.
Mbetet të shihet gjithashtu se cilat do të jenë partitë e koalicionit, të paralajmëruar më herët, ku pritet të mungojë PDIU-ja e Shpëtim Idrizit si dhe në pikëpyetje mbetet dhe LZHK-ja e Dashamit Shehit.