Vendimi i Universitetit të Korçës për t’u bashkuar me atë të Tiranës, duke u kthyer kështu në një filial të tij, ka risjellë në vëmendje situatën alarmuese me ikjen e të rinjve në Shqipëri dhe mungesën e orientimit të tyre drejt një vendi të sigurt e të dobishëm pune.
Dëmi po ndihet fillimisht në qytetet lokale, të cilat po përballen me uljen e ndjeshme të mungesës së të rinjve që frekuentojnë shkollat por edhe Universitetet.
Kështu, në Universitetin e Gjirokastrës po diskutohet të mbyllet fare institucioni pasi numri i studentëve po bëhet i papërfillshëm. Ndërsa Universitetet publike që mund të bashkohen me atë të Tiranës, duke u kthyer në filiale janë: Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”; Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër; Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë; Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë. I vetmi që shpëton është Universiteti i Durrësit.
Ndërkohë programet (degët) e studimit që janë mbyllur në secilin prej fakulteteve janë të shumta.
Sfida është e madhe edhe për disa fakultete të Universitetit të Tiranës, pasi në shkencat sociale, degët e mësuesisë apo të gjuhëve të huaja, numri i studentëve është gjithnjë në ulje.
Të rinjtë, në më të shumtën e rasteve zgjedhin degët e studimit duke planifikuar se cila do t’ju shërbejë më shumë për t’u larguar nga vendi.
Prej disa vitesh është ngritur alarmi se Shqipëria do të ngelet pa mësues apo pa shumë profesionistë që janë të domosdoshëm në shoqëri, dhe “metodat” e deritanishme të Ministrisë së Arsimit kanë rezultuar të dështuara. Studentët nuk pranojnë as bursat, pasi rrogat e mësuesve janë qesharake.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, evidentohet një rënie drastike e numrit të studentëve në universitetet në vend me rreth 50 mijë studentë më pak krahasuar me 8 vite më parë. Pra rreth 124 mijë të rinj në 2022 nga 176 mijë që ishin në vitin 2014.
Vera erdhi dhe gomonet që mbushen me të rinj shqiptarë për në Angli po promovohen fuqishëm në rrjetet sociale, por nuk ka ende asnjë politikë që të ngjallë shpresë dhe t’ju kthejë atyre dëshirën për të qëndruar e punuar këtu.
Disa ditë më parë në një podcast kryeministri Edi Rama tha të gjithë kanë të drejtë të provojnë të ikin, por sipas tij ata do të kthehen sepse “askund tjetër s’mund të pish kafe si në Shqipëri”.
Dhe ndërkohë që ndodh kjo, pyetja që lind është: Cili Universitet do ta ketë radhën për t’u bërë filial pas atij të Korçës?