Pas Asamblesë, Rama mbledh Kryesinë e PS-së me anëtarët e rinj, kush ishin më të votuarit e djeshëm

Një ditë pas mbledhjes së Asamblesë, kryeministri Rama do të mbledhë Kryesinë e Partisë Socialiste, me anëtarët e rinj që u zgjodhën ditën e djeshme.

Mbledhja do të zhvillohet në orën 18:00 në selinë e PS-së, teksa fokusi i saj është organizimi i fushatës së Partisë Socialiste për zgjedhjet e vitit 2025.

Për sa i përket Kryesisë së re, më të votuarit nga meshkujt ishin Erion Braçe, Arben Pëllumbi, Toni Gogu, Eduard Shalsi dhe Igli Hasani, ndërsa nga femrat Lindita Nikolla, Albana Koçiu, Klodiana Spahiu, Anila Denaj dhe Etilda Gjonaj.

Kujtojmë se kryeministri Rama njoftoi se të gjithë deputetët me më shumë se 1 mandat do të jenë në listën e hapur, bashkë me atë vetë, ndërsa në listën e mbyllur do të ketë figura të reja politike.