Pas 11 viteve në pushtet, përse Rama vijon ta krahasojë Shqipërinë me atë të para 2013-ës

Edi Rama ka rreth 11 vite në pushtet, prej kur fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, por edhe pas kaq shumë vitesh, duket se ora i ka ngelur në atë vit.

Në çdo mbledhje qeverie, konferencë për mediat, në fjalimet e gjata në Kuvend apo në emisionet televizive, krahasimi i tij i vetëm është i Shqipërisë së sotme me atë të para 11 viteve. E njëjta gjë ndodhi edhe dje në mbledhjen e jashtëzakonshme me ministrat dhe deputetët socialistë, ku fjalimin e nisi me të njëjtin krahasim.

Më poshtë, po ju sjellim fjalimin e Ramës, por me disa përgjigje për të vërtetat që ai nuk do t’i shohë dhe t’i përmendë, për të mos ia shtuar skandaleve të mëdha që kanë goditur qeverinë e tij në këto 11 vite.

“Të nderuar deputetë dhe deputete, ministre dhe ministra!

Kur shqiptarët na votuan masivisht për të na dhënë mandatin e parë, Shqipëria ishte në pikën e saj më të ulët, pas vitit të zi 1997. Rendi publik ishte përtokë, 124 vrasje në vitin 2012 dhe po atë vit 2075 aksidente nëpër rrugë. Krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij në një lojë syllambylla me shtetin; vjedhjet e shtëpive ishin pjesë e përditshmërisë në çdo qytet dhe fshat dhe kërkesa e parë e qytetarëve në çdo dëgjesë apo takim spontan, ishte siguri, siguri, siguri”, u shpreh Rama.

Po, është e vërtetë që ka patur shumë krim, por e njëjta gjë vijon edhe sot. Sot bandat kriminale janë fuqizuar aq shumë, sa paguajnë vrasës nga jashtë vendit dhe i bëjnë ekzekutimet në mes të rrugës, duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve.

Janë dhjetëra apo qindra ekzekutime të kohëve të fundit që nuk janë zbardhur, për shkak edhe të lidhjeve të bandave me politikën. Krim ka patur dhe do ketë, por në këto vite, bandat kriminale janë pasuruar dhe fuqizuar aq shumë, sa veprojnë përpara syve të shtetit, që shpeshherë bën edhe sikur nuk i shikon.

“Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo pikëpjekje dhe kontakt të qytetarit me shtetin; në çdo sportel shërbimi dhe udhëkryq trafiku, qytetarët mbanin radha të gjata duke dhënë ryshfet edhe për të dhënë një certifikatë lindjeje apo paguar para për të kaluar policin e radhës.

Në çdo ndërveprim mes biznesit dhe shtetit, ryshfeti ishte i treti i vërteti qoftë kur shteti shfaqej në derën e shitësit të bulmetit për një kontroll, qoftë kur biznesi shfaqej në derën e shteti për një prokurim publik”, vijoi më tej në fjalimin e tij Rama.

Të flasësh për korrupsionin para vitit 2013, kur vetëm në mandatin e parë qeverisë ke 3 nga skandalet më të mëdha në vitet pas komunizmit, nuk është ide e mirë. Inceneratorët me dëm mbi 450 milionë euro, sterilizimi 100 milionë euro dhe kanabizimi masiv i vendit me një ministër që u burgos, tregojnë më së miri se çfarë bëhet me korrupsionin gjatë qeverive “Rama”.

Sot korrupsionin nuk po e bëjnë punonjëset e sportelit të gjendjes civile, por po e bëjnë ministrat dhe zyrtarët e lartë. Pra, sot nuk ka korrupsion me 1 apo 2 mijë lekë, sot korrupsioni fillon me qindra mijëra euro.

“Spitalet nuk kishin më ilaçe, por vetëm receta për pacientët që t’i blinin ato ku të mundeshin; familjarët e tyre vinin në spital me çarçafë dhe batanije nga shtëpia në krahë; qendrat shëndetësore  ishin si godina të braktisura pas ikjes së një ushtrie pushtuese; edhe kur e gjeje rrallë një infermier në karrige, nuk gjeje një karrige tjetër e lëre pastaj shtrat apo mjete mjekësore për një shërbim normal”, tregoi më tej kryeministri.

Po, spitalet sot janë në gjendje më të mirë se sa ishin para vitit 2013. Por ende sot një pjesë e familjarëve vijojnë t’i blejnë vetë ilaçet pasi në spitale nuk ka, siç e kanë treguar mjaft mirë emisionet investigative.

Për sa u përket mjekëve, në spitale vijojnë të shërbejnë një numër i madh personeli mjekësor në moshë të madhe, pasi mjekët dhe infermierët shqiptarë po shkojnë çdo ditë drejt Gjermanisë.

“Hyrja në universitete ishte si në dyert e autobusëve të Unazës në vitet ’90, ku rinia shtyhej për ta çarë me para, me parti dhe me krushqi rrugën drejt derës së fakultetit të dëshiruar”, tha Rama.

Nëse studentët atëherë ishin në auditorë, pavarësisht sa komode ishin karriget apo si e kishin fituar degën, sot janë më shumë rrugëve në protesta dhe rrugëve të Europës, pasi sistemi arsimor në Shqipëri ka shkuar në gradën e fundit, siç e treguan mjaft mirë edhe rezultatet e PISA-s.

Të mbash studentët me detyrim në Shqipëri nuk është përparim, është ide komuniste. Sot auditorët janë më bosh se kurrë, për shkak të emigrimit masiv që vjen si pasojë e varfërisë dhe papunësisë në vend.

“Punësimet në çdo institucion, në çdo komisariat policie, në çdo ambulancë, në çdo shkollë bëheshin me urdhër partie, me ndërhyrje deputeti, shpesh me lekë ose për ata që s’kishin parti apo lidhje me deputetin e me ndonjë bajraktar lokal, vetëm me lekë”, u shpreh kryeministri.

Nëse Rama mendon se sot nuk ka punësime me ndërhyrje deputeti dhe me mik, atëherë nuk e ka aspak idenë se çfarë bëhet në institucionet zyrtare. Një ish-zyrtare e lartë u korruptua me një arkë peshk për një vend pune pak kohë më parë, teksa administrata publike është tejfryrë nga punësimet e militantëve.

Sot, ne kemi numrin më të madh të punonjësve në administratë, të cilët shërbejnë edhe si hambar votash, të detyruar që të votojnë punëdhënësin e tyre.

Rama: Prokuroritë dhe Gjykatat ishin pazare të gjësë së gjallë ku shihte rrushi rrushin e piqej, teksa më i dobëti gjithmonë digjej. Prokurorët dhe gjykatësit me integritet jetonin në rrethimin e llumit të mbuluar me toga të zeza dhe të fryrë nga zullumi i ryshfeteve të majme, të agresorëve të ligjit ndaj njerëzve pa mbrojtje dhe ndaj pronave të shtetit dhe të qytetarëve. Kurse të lidhurit pas qerres së pushtetit politik jepnin e merrnin favore të paligjshme, fare të patrazuar nga syri qorr dhe veshi shurdh i ligjit, duke bërë prokopi dhe vënë katandi hipur mbi kurrizin e popullit që e përkëdhelnin me fjalë dhe e përdhunonin me vepra.

I vetmi ndryshim madhor që është bërë në 11 vite është sistemi i drejtësisë, falë ndërhyrjes së SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Drejtësia e re ka ndryshuar jo vetëm mendimin e qytetarëve, por ka treguar se nëse lihet e lirë, di të veprojë njësoj si në vendet më të zhvilluara të botës.

Por fatkeqësisht duket se edhe drejtësia e re do ta ketë fundin shumë shpejt. Përpjekjet e mazhorancës dhe qeverisë për të ndërhyrë në drejtësi, janë një sinjal se vendi do t’i rikthehet drejtësisë së pushtetit, me prokurorë dhe gjyqtarë që i tremben politikës.

“Protestat kishin mbetur vetëm punë e Partisë Socialiste, askush nuk guxonte të dilte të protestonte kundër qeverisë pa një flamur partie si mburojë. Kush rrallë tek e provonte ndryshe merrte shkopin e policit kokës edhe po të ishte mbi një karroce invalidi”, deklaroi Rama.

Sot lejohesh të protestosh, por protesta injorohet nga të gjithë dhe kërkesat e qytetarëve nuk dëgjohen kurrë. Kështu ndodhi me protestën për Teatrin, të cilin e shembën në 4 të mëngjesit, si të ishte një godinë e rëndomtë.

Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese për protestat mbetet ende pas 3 viteve në sirtarin e Kuvendit, pasi është e vetmja mënyrë që qytetarët t’i frikësohen hakmarrjes së pushtetit nëse dalin në protestë.

Pra, ideja për të krahasuar Shqipërinë e sotme me atë të përpara 11 viteve, kur ndryshimet nuk janë rrënjësore, është një ide e gabuar, pavarësisht se militantët do të vijojnë të besojnë videot propagandistike dhe fjalët e kryeministrit se Shqipëria është gati për në Bashkimin Europian.

Në marrëveshjen me LSI-në në vitin 2013, synimi i Ramës ishte që Shqipëria të anëtarësohej në BE brenda mandatit të parë. Sot, synimi për t’u anëtarësuar është viti 2030.

Deri atëherë, ka mundësi që të jenë bërë edhe disa përmirësime të tjera në lidhje me vitet përpara 2013-ës.