Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Mundësia, Barbara Doda, së bashku me përfaqësues të kësaj partie ishin ditën e sotme në mbështetje të banorëve të fshatit Rrjoll të Velipojës, të cilët protestën e tyre e zhvendosën tek Prokuroria e Posaçme, SPAK.
“Banorët e Rrjollit po kërkojnë pikërisht të drejtën e tyre, të drejtën e pronave. Ne jemi në mbështetje të tyre, të gjithë shqiptarët duhet të jenë në mbështetje të tyre. Nuk ka gjë më të shtrenjtë se prona” – deklaroi Doda.
Banorët kanë disa ditë që janë ngritur kundër ndërtimit të një resorti turistik në tokat që pretendojnë se i kanë të tyre me certifikatë pronësie. Ata janë përplasur prej ditësh me Policinë e Shtetit gjatë protestave në Rrjoll.
Gjatë bisedës me Sekretaren e Përgjithshme të Partisë Mundësia, Barbara Doda, banorët e Rrjollit kanë treguar se janë përballur me forcën e Policisë dhe shoqërime të dhunshme në Komisariat, ku ata pretendojnë edhe se u është bërë presion.
Sipas tyre, uniformat blu nuk kanë kursyer as të rinj e as të moshuar, teksa kanë akuzuar drejtpërdrejt Shefin e Komisariatit të Policisë për dhunë.
Banorët në një zë pohuan se ata nuk do ndalen së kërkuari të drejtën e tyre mbi këtë pronë, që thonë se e kanë trashëguar nga të parët e tyre dhe për të cilën janë edhe në proces gjyqësor.
Sipas tyre, Qeveria po i detyron të largohen nga vendi i tyre për shkak të padrejtësive në lidhje me pronën.
Banorët e Rrjollit po kërkojnë pikërisht të drejtën e tyre, të drejtën e pronave. Ne jemi në mbështetje të tyre, të gjithë shqiptarët duhet të jenë në mbështetje të tyre. Nuk ka gjë më të shtrenjtë se prona.