Partia Mundësia mban sot një tryezë të hapur diskutimi: Për mbrojtjen e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit

Partia Mundësia do të mbajë ditën e sotme një tryezë të hapur për të diskutuar mbi strategjinë për mbrojtjen e drejtësisë dhe luftën ndaj korrupsionit.

“Mundësia “ ka ftuar të gjithë qytetarët dhe partitë opozitare t’i bashkohen në këtë diskutim, që e konsideron shumë të rëndësishëm, pas sulmeve të njëpasnjëshme që kryeministri Rama po i bën SPAK dhe GJKKO-së, si dhe skandaleve dhe aferave që janë zbuluar së fundmi.

Tryeza e hapur do të zhvillohet në sallën “Consortium” në Hotel Tirana në orën 18:00, ku çdo qytetar mund të shpalosë vizionin e tij për të mbrojtur drejtësinë dhe për të luftuar korrupsionin.

“Ka ardhur momenti te ulemi, të diskutojmë, jo vetëm me partitë opozitare, por edhe me aktivistë, pedagogë, qytetarë që janë me drejtësinë, kundër korrupsionit. Secili prej nesh duhet të vendosi se me kë është: me drejtësinë apo të korruptuarit”, u shpreh Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia në një emision televiziv.

Për Shehajn, vendi ynë ndodhet në një moment historik pasi për herë të parë të korruptuarit po dalin para drejtësisë. 

“Është e qartë që ne, që Shqipëria ndodhet në një moment historik. Për herë të parë, të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Edhe në shoqërinë shqiptare ka një entuziazëm në lidhje me këtë ngjarje historike. Unë mendoj që Shqipëria po kalon një nga momentet më të rëndësishme të historisë së saj, pas vitit 91, rrëzimit të regjimit komunist, ky është momenti më i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë.

Në këto kushte kemi një shoqëri që është entuziaste, nga ana tjetër kemi një qeveri dhe mazhorancë që vazhdon të sulmojë dhe kërkon të kontrollojë drejtësinë dhe në anën tjetër kemi një opozitë që nuk përfaqëson opinionin publik, shoqërinë shqiptare, e cila do që ne të kemi një strategji të qartë në mbrojtje të drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit. Opozita është pa strategji, pa drejtim” tha mes të tjerash Shehaj.