Partia e Lirisë pritet të krijojë grup parlamentar në Kuvendin e ri me tre deputetë të PD

Partia e Lirisë pritet të krijojë edhe grup parlamentar në Kuvendin e ri duke i “marrë” 3 deputetë Partisë Demokratike. Kjo u konfirmua nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili tregoi paktin që kanë bërë me PD.

PL futet në Kuvend me 4 deputetë ndërsa për të krijuar një grup parlamentar duhen së paku 7 deputetë, që siç duket Partia Demokratike do ia jap PL-së, me kryetarin e tyre që ndodhet në burg prej 10 muajsh.

“Ne kemi renë dakord që në rast se forca jonë politike nuk do kalonte pragun prej 7 deputetësh të domosdoshëm për krijimin e grupit parlamentar atëherë do marrim tre deputet nga Partia Demokratike në mënyrë që te jemi gjithashtu një zë i rëndësishëm në Kuvendin e ri. Të jeni të sigurt që zëri i zotit Meta do dëgjohet fuqishëm në Kuvendin e ri në çdo seancë dhe në çdo mbledhje të komisioneve parlamentare”, konfirmoi në një intervistë për Top Channel, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Ndërkohë ai përjashtoi skenarët që të lënë mandatet, por tha se do të ketë aksion të fortë politik.

“E vetmja rruge që duhet të ndjekë opozita është asnjë hap pas. Këtu i referohem betejës e Stalingradit. Nuk do ketë nga Partia e Lirisë bojkot apo dorëzim mandatesh sepse ky eksperiment i kryer rezultoi tradhti jo vetëm ndaj opozitës dhe vendit. Sigurisht do ketë protesta dhe sigurisht do ketë aksion të fortë politik”, deklaroi Blushi