Zv.kryeministrja Belinda Balluku nuk është paraqitur ende në SPAK, por në Prokurorinë e Posaçme ka mbërritur motra e saj avokate, Pamela Qirko.
Teksa sot pritet që SPAK t’i komunikoj akuzat, numri dy i qeverisë nuk është paraqitur deri tani në SPAK. Burime për mediat bëjnë me dije se ajo pritet të mbërrije në SPAK rreth orës 15:00.
SPAK i dërgoi Ballukut një fletë-thirrje të dytë, pasi nuk iu përgjigj të parës, për shkak të një vizite të saj në Rumani.
Shkresa mban firmën e prokurorit të posaçëm, Dritan Prençi, që me shumë gjasë pritet t’i komunikojë Ballukut akuzën dhe ta marrë të pandehur.
Gjithashtu SPAK ka ushtruar kontrolle në banesat e disa bashkëpunëtorëve të saj. Konkretisht, kontrollet janë ushtruar në banesat e dy bashkëpunëtorëve të ngushta të Ballukut si dhe në një zyrë.
SPAK është tejet i rezervuar për të dhënë detaje lidhur me çështjen që po e heton zëvendëskryeministren Balluku, pasi ndaj saj ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.