Ekspertët paralajmërojnë se mjetet aktuale dhe ato në zhvillim të inteligjencës artificiale mund të përdoren për krijimin e armëve biologjike të afta të shkaktojnë një pandemi globale.
Në fillim të këtij viti, disa nga figurat më të rëndësishme të teknologjisë dhe kundër-terrorizmit në botë u mblodhën për të analizuar një skenar hipotetik: një pandemi botërore e shkaktuar nga një enterovirus i ri, i krijuar qëllimisht nga një grup ekstremistësh duke shfrytëzuar AI-n.
Përfundimi në të cilin dolën ishte frikësues: Ky skenar, sipas grupit prej 14 ekspertësh që shqyrtuan masat mbrojtëse të AI në fushën e shkencave të jetës, është tërësisht i mundur në vitet e ardhshme. Raporti i tyre, i përcjellë nga Euronews, thekson se pandemia fiktive e simuluar, me 850 milionë raste dhe 60 milionë jetë të humbura, ishte “thellësisht alarmuese” dhe kërkon “veprime të menjëhershme” për të parandaluar mundësi të tilla.
Teknologjitë e AI po transformojnë mjekësinë, duke përshpejtuar zhvillimin e barnave dhe vaksinave. Por paralelisht, ekspertët theksojnë rrezikun që të njëjtat mjete mund të përdoren për të krijuar patogjenë të rinj me potencial shkatërrues. Grupi, i mbledhur nga Iniciativa për Kërcënimet Bërthamore dhe Konferenca e Sigurisë së Mynihut, paralajmëron se përparimi i shpejtë i AI po “shemb barrierat” që më herët e bënin të vështirë krijimin e armëve biologjike nga aktorë me qëllime të dëmshme.
Aktualisht, do të ishte teknikisht e mundur të përdoren mjetet ekzistuese biologjike dhe ato të mbështetura në AI për të inxhinieruar patogjenë të rinj me rrezik pandemik. Akoma më shqetësues është fakti se sistemet aktuale të sigurisë janë të papërgatitura për një sfidë të tillë.