Ndërkohë që Shqipëria ka në fuqi moratoriumin që ndalon gjuetinë, i cili është zgjatur deri në vitin 2005, në Komisionin e Ligjeve po kërkohet të kalohet projektligji që lejon armët e gjuetisë. Moratoriumi i Gjuetisë është miratuar në 2014 dhe që atëherë është shtyrë disa herë të tjera deri në 2025. Ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë është bërë me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie dhe jo vetëm.
Por në seancën e djeshme të Komisionit për Sigurinë Kombëtare është diskutuar projektligji për licensimin e kompanive që tregtojnë armët e gjuetisë dhe armët sportive, ndërkohë që në vend është e ndaluar me ligj gjuetia.
Deputeti Lefter Gështenja kundërshtoi propozimin duke kërkuar informacion se kujt do t’i duhet ky lloj ligji. Ai argumentoi se ky projektligj do të kishte kuptim nëse do të hynte në fuqi pas përfundimit të moratoriumit të gjuetisë.
“Nga njëra anë qeveria ndalon gjuetinë, nga ana tjetër kërkon të fitojë nga kompanitë që tregtojnë armë për gjueti. Unë nuk e besoj që armët e gjahut janë pajisje zbukuruese, që dikush të blejë armë dhe ta mbajë varur për bukuri. A jeni konsultuar juve me shoqatat e gjuetarëve apo aktorë të tjerë që preken? Për sa kohë ne e kemi të ndaluar gjuetinë me armë, kujt i duhet ky lloj ligji? Mos po kundërshtojmë një nga ligjet e miratuara me forcë nga kjo maxhorancë? I njëjti fenomen ndodhi edhe me 90 mijë fishekët që kishin ardhur në Shqipëri të çdoganuar ndërkohë që flitej se moratorium do të vazhdojë. Edhe nga komuniteti i gjahtarëve janë ngritur këto pikëpyetje, pra gjahu sot realizohet por nga ata që lejon qeveria, drejtorat e policisë etj?”, u shpreh deputeti Gështenja.