Paqja Fiskale: Transparencë apo amnisti e maskuar për të “mëdhenjtë”?

Së bashku me buxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria ka paraqitur për miratim edhe paketën e re fiskale, ku një ndër elementët kryesorë është “paqja fiskale”. Kjo iniciativë prezantohet si një përpjekje për të rritur transparencën dhe për të rivendosur marrëdhëniet mes bizneseve dhe administratës tatimore. Por propozimi ka hapur menjëherë debat publik, duke ngjallur pikëpyetje mbi qëllimin dhe efektet e tij.

Qeveria po e shet Paketën Fiskale si një hap drejt transparencës së bizneseve, por në të vërtetë ky projektligj nuk është asgjë më shumë se një dritare që lejon biznesmenët të bëjnë rideklarime që më herët i kanë manipuluar dhe të legalizojnë pasuritë e fshehura duke u tatuar me vetëm 5%.

Bizneset mund të fusin në bilanc pasuri të paregjistruara, të heqin detyrime fiktive, të korrigjojnë deklarata të mëparshme dhe për të gjitha këto paguajnë vetëm 5%. Madje pa gjobë, pa kamatvonesë dhe pa asnjë pasojë ligjore, pavarësisht se kanë bërë evazion fiskal për vite me radhë.

Nëse dikush ka fshehur për vite me radhë dhjetëra miliona, këtë vit i mjafton të paguajë një shumë qesharake për t’i pastruar paratë.

Por a është kjo transparencë, apo një amnisti e maskuar për biznesmenët e mëdhenj?

Ky projektligj nuk është asgjë më shumë sesa një amnisti fiskale selektive, që ndihmon biznesmenët e mëdhenj të pastrojnë paratë, duke fshehur pasojat e mungesës së kontrollit tatimor ndër vite.

Ndërkohë që qytetarët e zakonshëm dhe bizneset e vogla penalizohen edhe për një ditë vonesë të tatimeve, bizneset e mëdha marrin një dritë jeshile për të sistemuar bilancet me kosto minimale.

Por pse qeveria vendosi t’i falë ata që bëjnë evazion fiskal, në vend që të ndërmerrte më shumë auditime dhe kontrolle të thelluara, për të zbuluar të gjithë “të mëdhenjtë” që kanë fshehur pasurinë?

Përgjigja dihet: Kjo Paketë Fiskale është ndërtuar për të kënaqur pikërisht ata që kanë peshën ekonomike dhe ndikimin politik për t’u konsideruar “strategjikë”.

Nëse një biznes i madh ka fshehur miliona, qeverisë i intereson më shumë t’i marrë 5% sot sesa të hapë një proces hetimi që mund të ekspozojë vite të tëra dështimesh të administratës tatimore.

Por ky është edhe një mesazh i qartë për qytetarët dhe bizneset e vogla. Ata asnjëherë nuk do jenë në fokusin e qeverisë, pasi në këtë vend nuk shpërblehet ndershmëria, por ata që kanë llogaritë bankare plot dhe mund të ndihmojnë pushtetin të zgjasë sa më shumë.

Kjo është ajo që është bërë në këto 12 vite, ku qeveria ka ndarë në copa Shqipërinë për t’ua dhënë oligarkëve, të cilët pasi kanë fshehur pasuritë, tani mund t’i legalizojnë pa u përballur me ligjin.