Fermerët e jugut kanë dalë në protestë këtë të hënë për të kërkuar më shumë mbështetje nga shteti.
Fermerë nga Kavaja, Vlora, Berati, Fieri dhe Lushnja u bashkuan në rrethrotullimin në Savër në autostradën Lushnje- Fier për të protestuar dhe kërkuar më shumë mbështetje për blegtorët teksa me traktorë bllokuan edhe rrugën.
Në shenjë proteste ata derdhën qumështin në autostradë. Fermerët thonë se çmimi i qumështit nuk i favorizon për tu zhvilluar dhe në shenjë proteste një autobot derdhi qumështin në autostradë.
“Ja ku shkoi gjaku i fermereve”- thotë një protestues.
Blegtorët protestojnë për uljen e çmimit të qumështit nga fabrikat grumbulluese. Ata pretendojnë se shteti shqiptar favorizon grumbulluesit, të cilët importojnë qumësht nga vendet fqinje, deri nga Hungaria dhe qumështin vendas kërkojnë ta marrin me çmim nën kosto.
Ata thonë se po trajtohen padrejtësisht nga institucionet shtetërore dhe se nuk kane mbështetjen e duhur.