Pallatin e konfiskuar ia ktheu ndërtuesit/ Rama sulmon gjyqtarin Balliu: Vendim skandaloz, objektin do ta përdorte ASHK-ja

Kryeministri i vendit, Edi Rama edhe pse ndodhet me pushime, ka gjetur kohën të sulmojë hapur një prej funksionarëve të drejtësisë shqiptare.

Ai është kapur sërish me gjyqtarin Hazbi Balliu. Me një shkrim në rrjtete sociale, Rama shprehet se gjyqtari Balliu vendosi në favor të një ndërtuesi të paligjshëm në kryeqytet, duke bllokuar me vendimin e tij konfiskimin e një pallati i ndërtuar pa leje, të cilin qeveria pas konfiskimit do të sistemonte zyrat e reja të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Sipas Ramës, vendimi i gjyqtarit Balliu është skandaloz dhe kundër interesit publik pasi ka mbajtur anën e paligjshmërisë.

Ai shprehet se është absurd si një gjykatës mund të mbrojë vendimin me pretendimin e se ASHK mund të punojë në ambiente të tjera dhe vendosja e saj në godinën e konfliktit mes dy palëve, nuk është e domosdoshme.

Postimi i Ramës:

Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.

Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi

Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima.