Pal Trashaj është martir i luftës për rivendosjen e moralit shoqëror në republikën tonë

Ruel Domi

Shoqëria hipermaterialiste e llumit të TikTokut, krudove në pjatë, batakut politik e mediatik dhe e cekësisë morale te shoqërisë prodhoi një tjetër viktimë. Kur do zëmë mend?

Shoqëria shqiptare u prek nga lotët e Pal Trashit, 63 vjecarit që u vetëhelmua me fototoksine para dyerve të SPAK-ut. Si 100,000 shtetas të tjerë, që maskarëllëku i shit-blerjes së kredive nga kompanitë e mikrokredive u ka rritur principalet apo këstet për t’u paguar, dëshpërimi i Palit te gjorë preku kulmin, kulm i cili e nxiti drejt kryerjes së aktit te pamendueshëm te vetëmarrjes së jetës. Duhet thënë fuqishëm kjo: Pali piu helm sepse nuk kishte zgjidhje tjetër. I kishin marrë paratë dhe dinjitetin njerëzor, dhe në fund i ‘morën’ dhe jetën. Kam dëgjuar pseudo-analiste ditët e fundit që në perpjekje për të maskuar pangopësinë dhe kriminalitetin e këtyre skemave, invokojne përgjegjësinë individuale dhe ndonjë keqlexim potencial të kontratave nga Pali. Ne një shoqeri të lirë si e jona, përgjegjësia individuale është e rendësishme por ky rast të tregon qartësisht që kur ‘shushunjat e parave’ të vihen pas, nuk ka përgjegjësi individuale që të shpëton, se e kanë ndarë mëndjen qe do të të vjedhin. Për rehati të pseudoanalisteve, do paraqes disa fakte ne lidhje me rastin në fjalë.

Në vitin 2008, Pali kishte marrë një kredi në vlerën e 5 mln lekëve të vjetra. Në atë kohë, kësti mujor i kredisë kishte qënë 150 mijë lekë të vjetra në muaj, që Pali e paguante. Sipas mediave, në harkun kohor të 5 viteve, Pali kishte paguar kredinë prej 5 mln lekësh të vjetra dhe 3 mln lekësh të vjetra në interesa për kredinë, duke e cuar totalin e paguar nga Pali në  8 mln lekë të vjetra. Pamvarësisht se kishte paguar të plotë kredinë që kishte marrë, një ditë i ndjeri lajmerohet se kishte për të paguar 400,000 lekë të vjetra edhe pse detyrimi ishte në fakt i mbyllur. Gjatë përballjes me institucionin financiar, Pali kishte marrë injorim dhe mungesë transparence. I detyruar të paraqitej vetë në zyrat e këtij institucioni zhvatës, Pali ishte njoftuar se detyrimi i tij kishte vajtur ne 900,000 lekë te vjetra. Gjatë kësaj skeme kriminale, interesat kishin vazhduar të akumuloheshin duke e cuar detyrimin total ne 12.4 mln lekë të vjetra. Për shkak të mungesës së aftësisë për të paguar këtë borxh kriminal, dhe për shkak të mungesës së përgjigjes nga autoritetet ligjzbatuese, shoqëria e mikrokredisë i kishte bllokuar familjes Trashi rrogat, shtëpinë, tokat dhe makinën. Pavarësisht se Banka e Shqipërisë u kishte hequr licensat 2 muaj më përpara këtyre institucioneve, Pali sërish e mori jetën e tij. Pali e dinte se nuk kishte më shpresë. Pali e dinte se nuk kishte drejtësi. Po përse vallë?

Dua që mos t’a shohim këtë rast si një ngjarje të izoluar por si pjesë e fenomenit më të gjërë të korrupsionit moral të fabrikës sonë shoqërore. Një prej baballarëve të shtetit Amerikan dhe njëhkohësisht Presidenti i parë I SHBA-ve, George Washington ka thënë: “Pa virtyt nuk mund te kete liri”. Kjo shprehje sot gjen vertetësi te drejtpërdrejtë në Shqiperinë tonë ku morali dhe virtyti janë zëvëndësuar nga materializmi dhe bashibozukizmi. Sikur t’i edukonim për së mbari femijët tanë, nuk do kishte individë të cilët zhvasin qytetarët në menyrë të pafé dhe kriminale. Sikur t’i edukonim për së mbari femijët tanë, nuk do kishte maluketër me makina 200,000-300,000 euro që të terrizojnë në autostradë nëse nuk u hap rrugën. Sikur të kishim nje fabrikë sociale me moral dhe virtyte, nuk do kishte vajza të showbizz-it që hiperseksualizohen në rrjete sociale për të fituar krudon në pjatë. Sikur të kishim një fabrikë sociale me moral dhe virtyte, nuk do prodhonim klasën politike më të korruptuar të botës. Sikur të kishim një fabrikë sociale me moral dhe virtyte, nga Shqipëria nuk do iknin profesionistët e lirë, por llumi i rrjeteve sociale që në Shqiperi rrojnë si mbretër.

Jemi një shoqëri që vrapojmë mbas parasë. Prandaj vjedhim, korruptohemi dhe lejojmë të na vjedhin dhe korruptojnë. E kemi harruar familjen, të drejtën, vlerën, flamurin, Zotin, vetëm “që t’bojm naj lek”, sic thuhet dhe rendomtë rrugëve të kesaj Republike. Kemi zakon te fajësojmë politikën, por harrojme të shohim veten. Hajdutët e Onkologjikut janë produkt i një shoqërie që vlerën dhe moralin e ka dytësor apo dhe tretësor. ‘Vrasja’ e Palit nga skemat zhvatëse të Mikrokredive, janë produkt i një shoqërie që moralin njerëzor dhe humanizmin as nuk e pjerdh. Karambolet e shkaktuara nga ‘terroristët’ që i japin makinës me 200 km/h në autostradat e kësaj Republike, janë produkt i një shoqërie që nuk është edukuar për të jetuar në komunitet e për të ndërtuar shtet, por vetëm për të parë barkun dhe qejfin e vet.

Prandaj është e domosdoshme që vdekja e Palit të na zgjojë. Të na bëjë që t’i mbajmë të rinjtë dhe rejat në Shqipëri, pamvarësisht pagave dhe kushteve që ofron Gjermania. Të na bëjë që të distancohemi nga hipermaterializmi katundaresk, dhe të perqafojmë atdhedashurinë, moralin, virtytin, të drejtën dhe përparimin. Po vazhduam në të njëjtën rrugë, shumë më shumë Palë të tjerë do vuajnë nga monstrat që kjo shoqëri ka krijuar. Derisa hajdutët dhe shushunjat të na vijne dhe ne nga pas… Atehëre do behemi dhe ne ‘Pala’.