Pakti Rama – Meloni për emigrantët, a ishte ky kushti i Italisë për njohjen e pensioneve?

Sot ministri i Jashtëm Igli Hasani nënshkroi me homologun italian Antonio Tajani marrëveshjen për pensionet, nga e cila do të përfitojnë më shumë se 500 mijë shqiptarë që kanë punuar në vendin fqinj.

Një marrëveshje e tillë ka më shumë se 15 vite që përflitej, teksa gjatë qeverisë së Mario Draghit (2021-2022), u hodhën hapa konkretë për të arritur në një finalizim, që u tha se do të vinte në fundin e vitit 2022. Por rënia e qeverisë Draghi prishi edhe planet mes dy vendeve për këtë marrëveshje, duke e lënë për disa kohë në pritje.

Tashmë, pasi në krye të kabinetit qeveritar u vendos Giorgia Meloni, marrëveshja filloi sërish të marrë jetë, duke u bërë sot realitet. Kjo është marrëveshja e dytë e rëndësishme mes Ramës dhe Melonit, pas asaj për strehimin e emigrantëve afrikanë në Gjadër të Lezhës.

Por, a kanë lidhje këto dy marrëveshje me njëra tjetrën?

Marrëveshja për njohjen e kontributeve shoqërore të paguara nga shqiptarët në Itali ishte pothuajse gati dhe duhej të ishte nënshkruar 2 vite më parë. Pra, ardhja e Melonit në krye të qeverisë italiane nuk kishte përse e zgjaste kohën e pritjes për këtë marrëveshje, por me sa duket kryeministrja italiane ka pasur plane të tjera.

Meloni erdhi në pushtet duke u premtuar italianëve zgjidhjen e çështjes së emigrantëve, një problem që po bëhej çdo vit e më i madh, me dhjetëra mijëra afrikanë që i drejtoheshin Italisë për të shpëtuar nga varfëria ekstreme në vendet e tyre.

Zgjidhja nuk mund të ishte brenda Italisë, ndaj Meloni përdori si “varkë shpëtimi” mikun e saj të mirë, kryeministrin Edi Rama. Marrëveshja për strehimin e emigrantëve në Gjadër u kundërshtua jo vetëm nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, por edhe nga liderët e tjerë europianë.

Pavarësisht të gjitha kundërshtive, Rama i qëndroi besnik paktit me Melonin, ndërsa kjo e fundit e miratoi marrëveshjen në Parlamentin italian. Të njëjtën gjë bëri edhe kryeministri Rama, por opozita e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila fillimisht e pezulloi, për t’i dhënë “dritën jeshile” në 29 Janar të këtij viti, duke e miratuar.

Vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese miratoi marrëveshjen për emigrantët, ministri i Jashtëm Igli Hasani niset për në Itali për të nënshkruar marrëveshjen për pensionet.

Të jetë rastësi?

Në një vend ku rastësitë politike janë shumë të rralla, për të mos thënë që nuk ekzistojnë, lindin dyshime se Giorgia Meloni ka përdorur marrëveshjen për pensionet për të bindur Edi Ramën që të strehojë emigrantët afrikanë.

Përse nuk u nënshkrua marrëveshja për pensionet gjatë vitit 2023? Përse Igli Hasani duhej të shkonte në Itali pikërisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese? A ishin emigrantët kushti i Melonit për pensionet?

Një shprehje e Stanley Kubrick thotë: Shtetet e mëdha kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta.

Të jetë dhe ky një rast i tillë?