Pakti PS-PD për amnistinë penale/ Bylykbashi: Unë nuk e kam votuar, ishte ndërtuar në mënyrë të komplikuar

Deputeti i PD Oerd Bylykbashi ka pranuar se ai nuk e ka votuar në tërësi ligjin e amnistisë penale, ku përfituan edhe ish-zyrtarë të dënuar nga GJKKO.

Gjatë një interviste televizive, Bylykbashi pranoi se ligji ishte ndërtuar në mënyrë të komplikuar dhe të paqartë, duke nënkuptuar se nuk tregonte kategoritë që përfitonin.

Amnistia u miratua në Kuvend me votat e mazhorancës por edhe të opozitës, por duket se Bylykbashi ka dalë kundër kolegëve të tij.

“As unë vetë nuk e votova në tërësi atë ligj. Sepse ishte ndërtuar në mënyrë kaq të komplikuar. Një amnisti duhet të ketë parametra të thjeshta, të qarta. Nëse ka ndodhur ato që janë evidentuar dhe kemi njerëz të dënuar për ndërtim pa leje se kanë ndërtuar çatinë, kjo ishte ndalim, nuk pranohej. Ishte ndërtuar i tëri për t’u bërë ashtu dhe cdo lloj modifikimi nuk arriti ta përmirësonte situatën”- u shpreh Bylykbashi.

Ndërkohë ai hodhi poshtë edhe zërat për një marrëveshje mes PS dhe PD, për të kontrolluar institucionet e reja të drejtësisë.

“Të thuash “marrëveshje 2008 2.0” është gjë e thjeshtë, por nuk ka lidhje me këtë histori. Të thuhet se ka përpjekje për marrëveshje kundër SPAK-ut, unë e thashë këtë gjë, SPAK-u për mua është i detyruar të bëjë atë që është dizejnuar dhe ato prova që po shpërthejnë”- tha mes të tjerash Bylykbashi.