Padia e Belerit për tjetërsim tokash në Himarë, Jorgo Goro thirret sërish në SPAK

Kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro është thirrur sërish sot nga SPAK .

Edhe një javë më parë ai u mor në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për afro tre orë, pas padisë së bërë ndaj tij nga kryetari i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, i cili aktualisht ndodhet në burg për blerje votash. Pasi doli nga prokuroria e Posaçme, Goro u tha gazetarëve se ishte paraqitur për të dhënë shpjegime, por pa dhënë të tjera detaje.

Kujtojmë se në kallëzimin penal të kryer nga Fredi Beleri, ai akuzon kryetarin Jorgo Goro, se ka trajtësuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.