Osmani shpërndau Parlamentin, Kurti: S’mund të shkojmë në zgjedhje të reja pa folur Kushtetuesja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në situatën që ndodhet vendi, s’mund të flitet për zgjedhje të reja, pas vendimit të Presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Parlamentin.

Në një konferencë për mediat, Kurti tha se shpërndarja ndodh vetëm kur konsumohen tri raunde të votimit dhe ato dështojnë.

“Tash ndodhemi në një situatë ku s’mund të flasim për zgjedhje të reja pa folur Gjykata Kushtetuese meqë kemi mospajtime dhe kërkesë para këtyre. Ata kanë një materie. Deputetët s’i mbushën as katër javë të detyrës së tyre dhe sot në mëngjes u njoftuar nga mediat se u shpërnda Kuvendi.

Neni 86 thotë se Kuvendi shpërndahet nëse në raundin e tretë s’i ka marrë 61 vota. Ne s’kemi mbrri atje, s’u konsumua as raundi i parë e lërë më raundi i tretë”, ka thënë Kurti në konferencë.

“Nga kjo del se shpërndarja e Kuvendit lidhet me përfundimin e procedurës së votimit. Mbrëmë ne vetëm sa filluam me raundin e parë, e kurrsesi s’jemi të përfundimi i raundit të tretë”, është shprehur Kurti.

Ai ka përmendur edhe afatin 60 ditor, që sipas Kurtit është çelës për të shmangur bllokadën.

“Ekziston edhe një dispozitë që e çon vendin në zgjedhje, që nëse pas 60 ditësh pasi ka nisur procedura nuk zgjidhet president”, ka thënë Kurti.