Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka publikuar një deklaratë pas konferencës së zhvilluar këtë të mërkurë, ku theksohet se krimi i organizuar përbën kërcënim serioz për integritetin ekonomik të vendit, administratën publike dhe besimin e qytetarëve tek institucionet në Shqipëri.
Sipas OSBE-së, përballja me këtë fenomen kërkon një fokus më të madh në parandalim, përtej masave tradicionale të drejtësisë penale. Gjatë tryezës së rrumbullakët për masat parandaluese kundër krimit të organizuar u bashkuan përfaqësues të partive politike, studiues, anëtarë të komunitetit diplomatik dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në diskutime u vu theksi te përdorimi i mjeteve sistematike që synojnë të parandalojnë infiltrimin e krimit të organizuar në bizneset legjitime dhe në ekonominë formale.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e bllokimit të qasjes së krimit në ekonominë ligjore.
“Bllokimi i qasjes së krimit në ekonominë ligjore forcon përpjekjet tradicionale për të luftuar krimin e organizuar. Përmes mjeteve si revokimi i licencave, kontrolli i tenderëve publikë dhe sanksionet komunale, autoritetet krijojnë barriera që parandalojnë infiltrimin e krimit në bizneset legjitime. Ky është një hap efektiv dhe kyç për integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian,” u shpreh Gonzato.