Opozita “ndryshon taktikë”, mazhoranca voton projektligjet mes zhurmueseve dhe pankartave

Në seancën e sotme plenare deputetët e opozitës kanë protestuar sërish me pankarta dhe kanë ndezur zhurmues në sallë. Ndërkohë mazhoranca ka vazhduar seancën duke miratuar sërish në kohë rekord projektligjet mes zhurmës së opozitës.

Seanca plenare zgjati kështu vetëm 12 minuta, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Rama.

Në momentin e nisjes së seancës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, deputetët ndezën zhurmuesit dhe kërkonin largimin e gardës nga salla. Po ashtu ata kërkonin vendet e tyre në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Kësaj here,  për shkak të ndryshimit të rregullores së Kuvendit që I përjashton ata deri në dy muaj, deputetët e Rithemelimit kanë ndryshuar edhe strategjinë e bllokimit të seancave, duke shmangur ndezjen e  tymueseve në Kuvend.

Dy deputetët nismëtarë të protestës Gazment Bardhi e Flamur Noka janë të përjashtuar me 10 ditë, ndërsa Rithemelimi ka vazhduar edhe pa Berishën, pasi ky i fundit ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023.