Opozita kërkoi debat pa afat kohor, Konferenca e Kryetarëve vendos që çdo deputet të flasë 10 minuta për programin qeverisës

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve që u zhvillua ditën e sotme në ambientet e Kuvendit u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës për kohën që çdo deputet duhet të flasë gjatë seancës së nesërme parlamentare, ku do të prezantohet programi qeverisës.

Opozita kërkoi që debati i nesërm të jetë pa kufizime kohore, ku çdo deputet të shprehë qëndrimin e tij në lidhje me programin qeverisës, por kërkesa e Gazment Bardhit nuk u mor parasysh.

Në përfundim të mbledhjes u vendos që çdo deputet do të ketë kohë 10 minuta për të folur, teksa kryeministri Rama dhe një prej anëtarëve të opozitës do të kenë kohë më të gjatë për të folur në lidhje me programin.

Seanca e nesërme pritet të jetë maratonë dhe të vijojë edhe ditën e premte, për shkak se pas programit qeverisës të prezantuar nga Edi Rama, do të nisë debati ku do të flasë çdo deputet i Kuvendit.

Më pas do të vijë edhe votimi i qeverisë së re, e cila të premten pritet të shkojë në Presidencë për t’u betuar para Presidentit Begaj, për të filluar nga puna ditën e hënë.

Kabineti qeveritar “Rama 4”

Zv.kryeministër  dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë – Belinda Balluku

Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit – Delina Ibrahimaj

Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin – Adea Pirdeni

Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme – Elisa Spiropali

Ministër i Mbrojtjes – Pirro Vengu

Ministër i Mjedisit – Sofjan Jaupaj

Ministër i Brendshëm – Albana Koçiu

Ministër i Financave – Petrit Malaj

Ministër i Drejtësisë – Besfort Lamallari

Ministër i Arsimit – Mirela Kumbaro

Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Evis Sala

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Andis Salla

Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Toni Gogu

Ministër Shteti dhe Kryenegociator – Majlinda Dhuka

Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit – Blendi Gonxhja

Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor – Ervin Demo

Ministria e Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike – Diella