Opozita i jep fund bojkotit, rikthehet në tryezën e diskutimeve për Reformën Territoriale

Opozita i ka dhënë fund bojkotit dhe është rikthyer në tryezën e Komisionit të Reformës Territoriale.

Bashkëkryetari demokrat, Luçiano Boçi u shpreh në nisje të mbledhjes se të dyja palët duhet të gjejnë konsensusin mes tyre, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës.

“Mos bëjmë rolin e atij që mbyll sytë dhe veshët. Marrëdhëniet në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës nuk janë në normalitet por janë të tensionuara për shkak të sjelljes së mazhorancës. Nëse nuk ka produkt konsensual, atëherë është mungesë e gatishmërisë për të pranuar variantet, kjo është kërkesa ime.

Nëse rruga jonë kalon pjesërisht nëpërmjet konsensusit, për raporte apo vendime të caktuara dhe në fund fare del me variant të personalizuar politik, atëherë çfarë kuptimi ka komisioni?! Ne duhet të kemi një produkt të përbashkët”, tha Boçi.

Edhe bashkëkryetari Arbjan Mazniku ra dakord për bashkëpunimin mes palëve për të nxjerrë një produkt bashkërisht.  

“Na duhet të kemi bashki dhe rajone të afta për të funksionuar jo thjesht si struktura që ofrojnë shërbim për qytetarët, por të tërheqin fianncime nga BE për territorin e tyre. Kjo është një dritare që nuk duhet dhe nuk mund ta humbasim. Ta kryejmë këtë reformë para zgjedhjeve të 2027-ës, të hyjmë në zgjedhje me sistem të ri, në mënyrë që në vitin 2030 të kemi bashki që të punojnë në atë nivel funksionimi”, deklaroi Mazniku.