Opozita bashkon votat me PS për amnistinë penale por me 3 kushte: Të mos përfitojnë zyrtarët e dënuar nga GJKKO

Duket se mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për të votuar ligjin e amnistisë penale. Mësohet se demokratët kanë paraqitur 3 propozime për PS, ku kërkojnë mes të tjerash që nga amnistia të mos përfitojnë zyrtarët e dënuar nga GJKKO.

Po ashtu demokratët propozojnë që të amnistohen të gjithë protestuesit e gjykuar apo hetuar gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri më 31 mars 2024 si dhe propozojnë një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia.

Amnistia penale kërkon 84 vota dhe PS dhe PD ngritën para pak ditësh edhe një grup pune ku do të diskutohej pikërisht për ligjet me shumicë të cilësuar votash.

Nëse socialistët do të pranojnë 3 propozimet e demokratëve, në seancën e nesërme pritet të votohet amnistia penale.

3 kushtet e vendosura nga PD për të dhënë votën pro amnistisë:

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.