Nga Taylor Downing “BBC”
Tetëdhjetë vjetori i D-Day, është momenti i duhur për të kujtuar heroizmin dhe guximin e njerëzve që zbarkuan në plazhet e Normandisë më 6 qershor 1944, ngjarja e madhe që e ktheu valën e Luftës së Dytë Botërore kundër regjimit të Adolf Hitlerit.
Por pas suksesit të tyre, qëndron kontributi pak i njohur i burrave dhe grave nga industria e filmit. Ata ndihmuan në mashtrimin e armikut, dhe e nxitën këtë të fundit të mendonte se pushtimi do të ndodhte në Pa Dë Kale, përgjatë pjesës më të ngushtë të Kanalit anglez.
Madje edhe pas fillimit të zbarkimit të madh në Normandi, Komanda e Lartë Gjermane vazhdoi të besonte se ai nuk ishte gjë tjetër veçse një diversion, dhe se një pushtim i dytë më i madh do të ndodhte pikërisht në Kale. Po si lindi ky mashtrim i njohur me emrin “Fortitude Operation” (Operacioni Guximi)?
Historia nis që në vjeshtën e vitit 1940, kur koloneli Xhon Tërner nisi të ndërtonte aerodrome të rreme për të ngatërruar flotën e avionëve ushtarakë gjermanë, Luftvafe, mbi madhësinë reale të mbrojtjes luftarake të Britanisë së Madhe. Tërner kishte qenë Drejtor i Punimeve dhe Ndërtesave në Ministrinë e Aviacionit.
Ai kishte ndihmuar në ndërtimin e aerodromeve të rinj të forcës Ajrore Mbretërore (RAF) në mobilizimin e shpejtë që nisi para luftës. Doli në pension në vitin 1939, por u thirr sërish për të drejtuar një departament të ri tejet sekret, që do të ndërtonte aerodrome të rremë, të pajisur me avionë po të rremë.
Marshall Hjuxh Dauding, Shefi i Komandës Luftarake të RAF, ishte kundër punës së Tërner. Ai nuk donte që burimet të devijoheshin në truke të tilla. Kishte nevojë për pilotë dhe baza ajrore të vërteta. Ministria e Aviacionit i dha leje Tërnerit të vazhdonte.
Por problemi që kishte ai, ishte se prodhuesit e avionëve bënin aeroplanë të rremë që ishin shumë të mbi-inxhinieruar dhe kompleksë, kur në fakt duhej të ishin objekte formale që nuk mund dalloheshin nga një avioni zbulimi i armikut që fluturonte në lartësinë mbi 6 mijë metra.
Po ashtu, ata ishin shumë të shtrenjtë. Tërner kishte nevojë të gjente një furnizues të ri, dhe këtu hyn në lojë Norman Laudën. Në fillim të viteve 1930, biznesmeni skocez kishte blerë një rezidencë në perëndim të Londrës me 30 hektarë tokë. Në vitin 1932, ai ndërtoi një studio filmike në mjediset e rezidencës Sheperton.
Ndërtoi dy skena të mëdha, të cilat i pajisi me teknologjinë më të fundit audio. Po ashtu ndërtoi dhoma të zhveshjes, garderoba, punishte, me të gjitha pajisjet për realizimin e filmave. I vuri emrin “Sound City”. Studiot Sheperton u treguan shpejt të suksesshme, dhe deri në vitin 1939 u dyfishuar në madhësi.
Kjo studio tërhoqi disa nga kineastët më të mirë të kohës, si producenti Aleksandër Korda dhe regjisori Entoni Eskuit dhe Dejvid Lin. Bashkë më ta punonin një ekip teknikësh të talentuar, përfshirë stilistë, mjeshtra të dekorit dhe zdrukthëtarë. Por shpërthimi i luftës, solli një rënie të madhe në prodhimin e filmit britanik.
Gjatë vitit 1940, pas takimit me Laudën, Tërner e kuptoi se industria e filmit kishte përvojë në realizimin e skenave butaforike që ishin krejtësisht artificiale, por që në kamera dukeshin si të vërteta. Ndoshta ata mund të ndërtonin avionin e tij të rremë. Duke parë një mundësi biznesi për të krijuar punë për teknikët e Sheperton, Laudën u ofrua dhe fitoi kontratën për të ndërtuar 50 aeroplanë “Uellington” dhe 100 avionë “Blenhajm”.
Kostoja ishte sa një e treta e asaj të kërkuar nga prodhuesit e avionëve. RAF u gëzua. Ndërkohë, 3200 km larg, në Kajro u krijua një njësi e re nga Ushtria Britanike. E njohur thjesht si A-Force, ajo drejtohej nga një tjetër pionier i teknikave të mashtrimit, nënkoloneli Dadlej Klark. Ky ishte një tip shumë sportiv dhe ishte i aftë të hynte në një dhomë pa e vënë re askush.
Ai nisi të mashtrojë italianët dhe gjermanët për qëllimet e aleatëve në Luftën e Shkretëtirës që u zhvillua në Egjipt dhe Libi. Disa nga mashtrimet e tij nuk funksionuan, por ai mësoi si nga sukseset ashtu edhe nga dështimet. E kuptoi se që mashtrimi të ishte efektiv, duhej që armiku jo vetëm të mendonte diçka të gabuar, por edhe t’i linte forcat e tyre në vendin e gabuar apo të largonte trupat nga fokusi i një sulmi të ri.
Dhe ai u bë shumë shpejt i zoti në artin e krijimit të forcave që nuk ekzistonin. Shpiku një brigadë parashutistësh, dhe arriti të bindë italianët se ata do të përdoreshin për t’u hedhur pas linjës së tyre të frontit. Por në Afrikën Veriore nuk kishte trupa ajrore. Ai vazhdoi të shpikte divizione dhe trupa ushtarake, duke i bërë të dukeshin sikur ekzistonin vërtet.
Në betejën e El Alameinit në tetor 1942, Klark dhe kolegët e tij e bindën armikun se kundërsulmi aleat po vinte nga jugu. Kamionët u mbuluan me pëlhura gome, që i bënin të dukeshin nga ajri si tanke, teksa krijonin ato që duhej të ishin gjurmët në rërë. Me depozitat e vjetra të naftës, krijuan atë që dukej nga lart si një depo imagjinare karburanti në jug.
Gjermanët vendosën dy divizione të blinduara në jug, për ta përballuar këtë kërcënim të dukshëm. Kur erdhi momenti i betejës, gjenerali britanik Montgomeri sulmoi me forcat e tij nga veriu. Beteja zgjati 10 ditë luftime të ashpra, por manovrimi i armikut ndihmoi në arritjen e fitores.
Kur flitej për planifikimin e D-Day, operacioni më i madh amfib i realizuar ndonjëherë, ishte edhe me e madhe nevoja për një plan të detajuar të mashtrimeve. Kur diskutoi mbi zbarkimin në Francë me Josif Stalinin gjatë Konferencës së Teheranit, kryeministri britanik Uinston Çërçill përdori frazën:“Në kohë lufte e vërteta është aq e çmuar, sa që duhet të ndiqet gjithmonë nga një truprojë gënjeshtrash”.
Ajo frazë përmblidhte në mënyrë të përkryer pikëpamjen e aleate mbi operacionet e mashtrimit.
Gjenerali Montgomeri, u caktua në krye të Grupit të Ushtrisë së 21-të, duke qenë de fakto komandant i forcave tokësore në Ditën D. Shefi i akteve të mashtrimit, nënkoloneli Dejvid Strejnxhueis, këmbënguli se e vetmja mënyrë për t’i bërë gjermanët të mbanin një ushtri të madhe, ushtrinë e tyre të 15-të, në rajonin e Kalesë ishte që t’i bindte ata se një ushtrie e madhe armike po formohej në Kent, Eskes dhe Safolk.
Ajo po përgatitej të zbarkonte përgjatë bregut të Pa Dë Kalesë. Por si mundën mashtruesit që të krijonin një ushtri prej 300 mijë burrash, që në të vërtetë nuk ekzistonte? Gjatë operacionit kishte shumë elementë në fushatën e akteve mashtruese. Agjentët e dyfishtë, spiunët gjermanë që ishin dërguar në Britani dhe që ishin kthyer në bashkëpunëtorë të MI5, dërguan enkas informacione të gabuara tek eprorët e tyre gjermanë.
Ata luajtën një rol shumë të madh. Ndërkohë kishte edhe mashtrime shkencore, duke dërguar sinjale të rreme sikur flotiljet e anijeve apo skuadriljet e avionëve ishin diku, kur në fakt kjo nuk ishte e vërtetë. Por që të krijonin një ushtri të rreme, mashtruesit e filluan punën me një emër, Grupi i Parë i Ushtrisë Amerikane, shkurt FUSAG.
Sërish, teknikët e studios Sheperton iu futën punës për të ndërtuar tanke të rreme për këtë ushtri të pretenduar. Të përbëra nga gome dhe kanavacë rreth një kornize metalike, ato mund të fryheshin brenda 30 minutash. U prodhuan qindra të tillë, dhe u rreshtuan në zona të mëdha, njëlloj si në jugperëndim ku ushtria e vërtetë po mblidhej për pushtimin e vërtetë. Ata projektuan edhe anije të rreme prej gome.
250 të tilla u “nisën” përgjatë bregut juglindor nga Dover në Great Jarmauth. Edhe pse të pajisur me nga një spirancë të rëndë, ato kishin tendencën të rrokulliseshin përmbys nga era e fortë. Kompanitë e Regjimentit të Uorçestershajërit, u vunë në gatishmëri për t’i kthyer ato drejt sa më shpejt që ishte e mundur.
Për më tepër, një depo e rreme karburanti u ndërtua pikërisht përgjatë bregut në Dover. E bërë me dërrasa, skela hekuri dhe tubacionet e vjetra të kanalizimeve të shkatërruara nga bombardimet, ato dukeshin jo mbresëlënëse nga toka. Por nga mbi 6 mijë metra lart, dukeshin si të vërteta.
Një njësi e radistësh të ushtrisë amerikane, u udhëzua të dërgonte mesazhe të rreme nga lart-poshtë zinxhirit komandues, me detaje të ushtrimeve stërvitore dhe zbarkimeve të rreme në plazh. Gjermanët nuk kishin nevojë që t’i deshifronin të gjitha këto mesazhe. Ata mund të shihnin nga numri i madh i komunikimeve, se një ushtri e madhe po mblidhej në Anglinë Juglindore.
Nga fundi i muajit maj, një javë përpara D-Day, shërbimit sekret gjerman llogariti se në Britani ishin mbledhur 79 divizione aleate. Në fakt, numri ishte vetëm 52. Dhe kur ndodhi zbarkimi, gjermanët u kapën në befasi. Gjithsesi ata reaguan shpejt dhe brenda pak ditësh mbërritën përforcime nga Franca Jugore dhe Perëndimore.
Lufta 6-javore për kontrollin e Normandisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Megjithatë, Ushtria e 15-të Gjermane mbeti në Pa De Kale, duke pritur atë që Komanda e Lartë Gjermane ishte e bindur se do të ishte një zbarkim i dytë i madh. Ndërsa betejat vendimtare po zhvilloheshin në Normandi, më shumë se 150.000 trupa gjermane qëndruan në prirje 321 km larg. Fushata e mashtrimit, kishte pasur një sukses të jashtëzakonshëm.