Operacion “blic” në Elbasan/ Policia rrethon lokalin, arrestohen dy eksponentë të njohur të botës së krimit

Policia e shtetit ka kryer një operacion “blic” në qytetin e Elbasanit ndërsa raportohet për dy persona të arrestuar. Këta të fundit janë personazhe të njohr të botës së krimit, por edne nuk është mësuar se për cilët bëhet fjalë.

Aksioni i policisë është zhvilluar rreth orës 15:30 në një prej lokaleve të njohura përgjatë aksit rrugor Elbasan-Ish-Metalurgjia, në fshatin Katund i Ri.

Mësohet se uniformat blu kanë rrethuar zonën pranë një lokali ku ndodheshin disa persona dhe ndërhynë brenda ambienteve ku dyshohej se ndodheshin eksponentët kriminalë.

Ky aksion është cilësuar si një nga më të rëndësishmit në Elbasan, një qytet që prej kohësh përballet me prani të lartë të grupeve kriminale.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi identitetin e të arrestuarve apo akuzat konkrete ndaj tyre, ndërsa pritet që në orët në vijim Policia e Shtetit të dalë me një njoftim zyrtar.