Ditën që Shqipëria do të bëhet një shtet i denjë për integrimin në Bashkimin Europian me një Drejtësi që nuk do të lejojë pandëshkueshmërinë, me gërma të arta do të shkruhen emrat e atyre që guxuan të luftojnë politikën e korruptuar në kohë kur politikanët shiheshin si të githëpushtetshëm.
Krijimi i SPAK disa vite më parë u pa me skepticizëm nga shqiptarët, sidomos kur thuhej se drejtësia e re do të hetonte edhe politikanët, me qytetarët të mësuar se ata janë të paprekshëm, pavarësisht se për shumë vite vetëm grabitën paratë e tyre.
Por, do të duhej të vinte 16 Dhjetori i vitit 2022 që në krye të SPAK të vinte Altin Dumani dhe në Shqipëri të ndryshonte historia e pandëshkueshmërisë. Prokurori i hekurt që askush nuk guxon ta marrë në telefon, tregoi që në ditët e para të mandatit se përpara drejtësisë nuk vinte asnjë.
Hetoi dhe arrestoi zyrtarë të lartë, nga deputetë, te ministra e deri te Arben Ahmetaj, numri 2 i qeverisë Rama, i përfshirë në mega-aferën e inceneratorëve, që qytetarëve shqiptarë u ka kushtuar mbi 400 milionë euro, me pagesat që vijojnë të bëhen pavarësisht se inceneratorët nuk ekzistojnë.
Altin Dumanit i mbaron mandati në krye të SPAK në fund të këtij viti, por ai do të vijojë të jetë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, për të vazhduar hetimin e zyrtarëve të korruptuar. Në gati 3 vite në krye të SPAK, Dumani ka krijuar një profil kaq shumë të respektueshëm nga qytetarët.
Të gjithë e respektojnë figurën e një prokurori të drejtë e të pakorruptuar, ndërkohë që vlerat e tij rriten sa herë që ai sulmohet nga politikanët, në tentativat e tyre të dështuara për të intimiduar drejtësinë e për të shpëtuar veten e milionat e vjedhura.
Por, çdo fillim e ka një fund, dhe nuk duhet të mërzitemi se po përfundon, por duhet të jemi të lumtur se ndodhi. Në fund të mandatit të Altin Dumanit, do të duhet një tjetër prokuror i denjë për të zëvendësuar e për të vijuar rrugën e tij për një drejtësi të pakapur e të pakorruptuar.
Lexo edhe: 50 vjetori i Altin Dumanit
Ende nuk dihet se cilët janë ata që do të futen në garë për të marrë kryesimin e SPAK, por te qytetarët po krijon besim një nga prokurorët më të përfolur të ditëve të fundit.
Ai është Olsi Dado, prokurori që guxoi të hetojë kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ta arrestojë atë në zyrën e tij. Olsi Dado, apo “violinisti” siç i drejtohet Veliaj, duke i hedhur akuza të shumta, në 10 Shkurt 2025 luajti “melodinë më të bukur” për pjesën dërmuese të shqiptarëve, që e shihnin Veliajn si një nga njerëzit më të korruptuar të Rilindjes së Edi Ramës.
Olsi Dado i vuri prangat njeriut të dytë më të pushtetshëm të socialistëve, duke bërë që shqiptarët të besojnë edhe më shumë në sistemin e drejtësisë, dhe duke e çuar SPAK në një tjetër nivel besueshmërie në sytë e të gjithëve.
Pavarësisht akuzave të shumta që janë hedhur ndaj tij dhe nga kryeministri Rama, Olsi Dado nuk është lëkundur, i vetëdijshëm se në çdo akuzë që hidhet ndaj tij nga politika, ka mbështetjen e të gjithë shqiptarëve që duan ta shohin Shqipërinë pa politikanë të korruptuar.
Ndoshta, nëse arrin të marrë drejtimin e SPAK, do të guxojë të shkelë edhe në “tokën e minuar” për drejtësinë, në Kryeministri.
Ndoshta, do të sekuestrojë celularin e kryeministrit Rama, që ky i fundit e kishte me shumë merak, aq sa arriti ta shprehë edhe publikisht, për ta “ftuar” më pas Ramën në zyrat e SPAK, e ndoshta në fund, nëse arrin të zbulojë shkelje ligji, ta bashkojë “kapitenin me marinarët që janë mbytur me radhë në ujërat e SPAK dhe GJKKO”.
Ka kohë deri në Dhjetor për të mësuar se kush do të jetë kreu i ri i SPAK, por deri më sot, Olsi Dado duket të jetë një zëvendësues i denjë i Altin Dumanit!