Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të vijoj të qëndrojë në burg. Në seancën e sotme, GJKKO rrëzoi kërkesën e Metës për të dalë nga burgu, në këmbim të garancisë pasurire prej 50 mijë eurosh.
Pas përfundimit të seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, u ndal në një komunikim për gazetarët duke thënë se do të vazhdojnë betejën e tyre deri në lirimin e tij.
Cakrani tha po ashtu se Meta, i cili sot feston ditëlindjen, nuk ishte i pranishëm në seancë pasi ka humbur besimin te gjykata.
“I kërkova t’ja bënim dhuratë lirinë në ditën e lindjes. Beteja jonë nuk mbaron këtu, do vazhdojmë, do presime dhe vendimin e Gjykatës Kushtetutës.
Meta nuk u paraqit sot, e ka humbur besimin te gjykata, kërkon vetëm përballjen në themel. Unë parashtrova pretendimet e mia”-u shpreh avokati i Metës, Kujtim Cakrani.
Kujtojmë se ish-presidenti i vendit, Ilir Meta ndodhet në burg që prej tetorit të 2024, i akuzuar për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.