Nuredin Dumani, i kthyer në të penduarin e drejtësisë po dëshmon sot në GJKKO. Ai është pyetur sot se si ka arritur që të dalë nga burgu, pasi kishte qenë i arrestuar për vepra të tjera penale.
Dumani ka thënë se e ka ndihmuar dhëndri i vëllait të mininstrit të Drejtësisë së asaj kohe, Nasip Naço. I penduari i drejtësisë ka thënë se ndërmjetës për ta liruar nga qelia ka qenë avokati, Alban Bengasi dhe se ka paguar 40 mije euro në këmbim të lirisë së tij.
“Kam paguar para që të dilja nga burgu, kisha avokat Alban Bengasin. Më ka ndihmuar dhëndri i vëllait të Nasipit, që është mjek. I bënë letrat sikur isha për të vdekur. Dhe më nxorën nga burgu gjasme vuaja nga zemra”, ka thënë Dumani në dëshminë e tij.
Kujtojmë se Bengasi, i kishte ofruar 120 mijë euro Nuredin Dumanit, që t’i vriste bashkëshorten, me pretendimin se e kishte tradhëtuar.
Nuredin Dumani po jep dëshminë e tij lidhur me ate që njihet si dosja “Plumbi i Artë”, ku pasi u kthye në të penduarin e drejtësisë, zbardhi disa ngjarje kriminale dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa që shkonin deri në 200 mijë euro.