Nuredin Dumani tha se doli nga burgu me ndihmën e dhëndrit të vëllait të Nasip Naços, reagon deputeti i PS: Mashtrim për të dëmtuar integritetin tim

Deputeti i PS, Nasip Naço ka reaguar ndaj deklaratave të bëra sot nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili tha sot në sallën e gjyqit se është liruar nga burgu me ndihmën e dhëndrit të vëllait të Nasip Naços, i cili në vitin 2014 mbante postin e ministrit të Drejtësisë.

Dumani tha se doli nga burgu ku vuante dënimin për pengmarrje nëpërmjet falsifikimit të raportit mjeko-ligjor, që ishte lëshuar nga mjeku nëpërmjet ndihmës që i dha edhe dhëndri i vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë në atë kohë.

Nasip Naço në reagimin e tij thotë se distancohet nga çdo akuzë publike ndërsa fton organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar. Naço shton se nëse këto akuza vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.

“Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë”- thotë mes të tjerash Nasip Naço.

Reagimi i Naspi Naços:

“Jam njohur sot nga mediat ku përmendet emri im. Dua të theksoj se:

1-Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.
2-Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:
 – Nuk heton,
 – Nuk ngre akuza,
 – Nuk pushon çështje,
 – Nuk jep vendime fajësie apo pafajësie.
Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.
3-Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë.
 4. Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si Ministër”.