Nuk u fut dot në Kuvend, Lapaj akuzon KAS se po ndjek dy standarde

Pasi KAS e la pa mandatin e deputetit, Adriatik Lapaj, kreu i “Shqipëria Bëhet” ka reaguar në rrjetin social Facebook.

Sipas Lapajt, KAS ka ndjekur dy standarde, pasi siç shkruan ai, PSD-së iu pranuan dorëheqjet dhe mandati kaloi te lista e hapur, kurse “Nisma-Shqipëria Bëhet” nuk iu pranua.

Në seancën e sotme, KAS rrëzoi kërkesën e “Shqipëria Bëhet” që të njihte dorëheqjet e listës së mbyllur nga kandidimi, në manyrë që mandati t’i kalonte Adriatik Lapajt si më i votuari në listën e hapur.

Këtë të mërkurë, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i hoqi mandatin Kleana Xhuveli, goca e tezes së Lapajt, dhe ia dha Ana Dajkos, e cila renditej e para në listën e mbyllur në koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”.

Postimi i Lapajt:

Pra, Psd-së i pranohen dorëheqjet dhe mandati kalon te lista e hapur. Neve jo që jo! Për ne zbatohet tjetër ligj se ne jemi Gulag.

Jam aq shumë krenar që luftoj për garën e hapur! Do vijë dita e asaj që po kërkojmë. Një ditë ky vend do ketë garë.