Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka qenë sot e pranishme në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
Sipas saj, studentët nuk vendosen përpara një detyrimi. Ata janë të lirë të zgjedhin nëse do të përfitojnë nga lehtësirat, apo jo. “Ligji nuk e cenon thelbin e kësaj të drejte kushtetuese” u shpreh Kushi, “duke qenë se çdo student ka të drejtë të zgjedhë, nëse dëshiron të përfitojë nga lehtësitë që krijohen me nënshkrimin e marrëveshjes, apo nëse nuk pranon për të lidhur këtë marrëveshje”.
Sipas saj nuk e ka fajin sistemi shëndetësor shqiptar për largimin e mjekëve por Shqipëria nuk mund të konkurojë me vendet e zhvilluara për t’i punësuar mjekët. Vendet e BE kanë liberalizuar të gjitha procedurat për t’i punësuar mjekët që shkojnë nga vendet e tjera.
“Ne sado t’i rrisim pagat dhe mirëqenien nuk mund ta konkurrojmë Gjermaninë apo SHBA” u shpreh Kushi.
“Tani, pse largohen mjekët?! U përmend disa herë se mjekët largohen sepse ky është një cedim i sistemit. Në fakt ne biem dakord që kemi ende shumë punë për të bërë. Që kemi problematika, patjetër që kemi. Ndërkohë janë bërë shumë punë, shumë përparime, ka shumë zhvillim. Që duhet të bëjmë akoma, patjetër. Por arsyeja kryesore, ju e thatë edhe vetë në fjalët tuaja, është që vendet e BE-së kërkojnë çdo ditë mjekë.
I kanë liberalizuar të gjitha procedurat për t’i punësuar mjekët që vijnë nga vendet e tjera. Edhe para 10 vjetësh, 15 vjetësh, 5 vjetësh kishte mjekë apo edhe qytetarë që donin të shkonin drejt këtyre vendeve. Sepse ne nuk mund ta konkurrojmë as Gjermaninë, SHBA-në, sado t’i rrisim pagat apo mirëqenien.
Por, sot ata shkojnë dhe janë të sigurt që menjëherë u ofrohet një vend pune, madje edhe pa njohur diplomën.
Ju e thatë vetë që qytetarët e vendeve të BE-së nuk duan më të studiojnë më për mjekësi sepse është një shkollë e vështirë, sepse kërkojnë gjëra më të lehtë. Pra ata janë në krizë.
Kjo sigurisht që i tundon mjekët tanë për një jetë më të mirë, një nivel page më të lartë. Ne sigurisht që i kemi rritur pagat. Por arsyeja, nuk është se çedoi sistemi. Sistemi është më i mirë se ai që kishim, por numri i largimeve është rritur sepse çdo ditë në gazetat e vendeve të BE-së ka njoftime, kërkohen punonjës në fushën e shëndetësisë, në fushën e IT, etj”, tha Kushi në fjalën e saj.