“Nuk jam kokëfortë, jam parimor”, Albin Kurti intervistë për median gjermane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar dje në Bruksel, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Pas takimit me Kurtin, zyrtarët e lartë evropianë kanë nisur një takim tjetër, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Lidhur me tensionet mes dy vendeve gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” ka intervistuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili është konsideruar si lider që po “pengon” që konflikti mes dy vendeve të zgjidhet.

Vërejtjes së gazetarit gjerman se diplomatët perëndimorë e konsiderojnë atë partner të vështirë dhe e akuzojnë si kokëfortë, Kurti i përgjigjet: “Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”.

 “Miqtë tanë në BE dhe SHBA kanë pak pritshmëri nga Beogradi. Kjo është arsyeja pse çdo gjest pozitiv i Beogradit është i mbivlerësuar dhe i fryrë. Në të njëjtën kohë, ata kanë shpresa të mëdha për Serbinë në planin afatmesëm. Një politikë e tillë krijon probleme sigurie për të gjithë fqinjët e Serbisë. Diçka e tillë mund të funksionojë me një demokrat, por jo me një autokrat. Një autokrat do ta shohë çdo akt bujarie ose tolerance si një shenjë frike ose dobësie. Prandaj, duke menduar se koncesionet do ta joshin zotin Vuçiq të kthehet drejt Perëndimit – do të arrihet pikërisht e kundërta. Për ne nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”, është shprehur ndër të tjera Kurti.