Policia ka arrestuar ditën e sotme administratorin e pjesës së plazhit qn Vilë-Bashtovë, ku dje humbën jetën babai me dy fëmijët.
34 vjeçari Pëllumb Nika ishte administrator i parcelës së marrë me qira nga bashkia e Rrogozhinës dhe nuk kishte marrë masa për sigurimin e jetës së plazhistëve.
Ai nuk ka garantuar as vendosjen e një vrojtuesi plazhi gjatë gjithë kohës dhe nuk kishte pajisur me sinjalizim dhe me kufizim me bova hapësirën ujore.
Si pasojë thotë njoftimi humbi jetën një 50 vjeçar nga Tirana së bashku me dy djemtë e tij adoleshentë, 17 dhe 13 vjeç.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë operatorët që kanë përfituar kontrata shërbimi përgjatë vijës bregdetare, që të ushtrojnë aktivitetin në përmbushje të detyrimeve për sigurinë e jetës së pushuesve dhe të marrin masa të menjëhershme për të përmirësuar edhe më shumë kushtet e sigurisë, pasi Policia e Shtetit nuk do të tolerojë në asnjë rast, shkelje të tilla që cenojnë sigurinë dhe jetën e pushuesve në plazhe.