Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka kërkuar nga Gjykata që të bëhet eskpertimi për të përcaktuar shkakun e shpërthimit në Gërdec.
Teksa u ndal në një komunikim me gazetarët pas përfundimit të seancës së sotme, Mediu u shpreh se ka ekspertë ushtarakë që mund të bëjnë vlerësimin, ndërsa sipas tij, gjykata duhet të përcaktojë nëse do të jenë shqiptarë apo të huaj.
“Të bëhet aktekspertim për hamendësimet e bëra. Duhet të përcaktohet shkaku i shpërthimit. Ka ekspertë ushtarakë, si të dojë gjykatë shqiptarë ose të huaj. Nëse na kërkojnë mendim, do të sjellim emra të ekspertëve”, tha Fatmir Mediu.
Mediu foli edhe në lidhje me letërporositë nga SHBA, duke thënë se parapëlqen marrjen me pyetje në një diskutim interaktiv. “Do të konsultohemi me avokatët për qëndrimin e SHBA. Ne kërkuam diskutim interaktiv jo të ecet me letërporosi”, tha ai.
Ndërkohë seanca e radhës për ish-ministrin do të jetë më 2 maj, ora 10:00. Kujtojmë që ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit