Nga Anta Muçaku
Genci Fuga është aktor, regjisor dhe pedagog në Universitetin e Arteve!
Gjithë jetën ia ka dedikuar regjisurës dhe aktrimit, por në një intervistë dhënë së fundmi tha se “fshehja e paaftësisë” për të siguruar të ardhura për vajzat e tij, është roli më i vështirë që duhej ta luajë çdo fund muaji.
“Unë fsheh paaftësinë time si kryefamiljar në sigurimin e të ardhurave. Eni duhet të fshehë pasigurinë time në sy të vajzave dhe pjesës tjetër të familjes. Është një sakrificë, është një rol mbi rol që duhet të luajmë çdo fund muaji.”
Kjo deklaratë e tij u bë virale në rrjet por nuk pati fuqinë të shkojë përtej rrjetit. Sepse arti dhe artistët në këtë vend janë më të keqpaguarit e më të nënvlerësuarit.
Siç ka treguar vetë Genci, një rol kryesor paguhet sa dita e një punëtori llaçi.
Sot ai ka pësuar një goditje në tru dhe bashkëshortja e tij, aktorja Eni Jani ka bërë apel për mbledhjen e 19 mijë eurove që i duhen për kryerjen e operacionit te Spitali Amerikan.
Nëse ka mbetur ndonjë me shpirt e zemër në Këshillin e Ministrave mund të akordojë ndonjë shumë me VKM për operimin e tij.
Kjo qeveri ka bërë me pasaporta diplomatike lloj-lloj halabaku, ka paguar pafund udhëtime me chartera, ka bërë me vila çdo ministër e partneret e tyre, ka shpallur investitorë strategjikë kriminelë, ka bërë ligje të posaçme për biznesmenët, ka dhënë tokë publike në bregdet, nuk ka lënë spanjoll, latin, italian e grek pa sjellë për të kënduar në shesh, se po i jep 19 mijë euro këtij aktori kaq të dashur për publikun, nuk bën keq.