Një tjetër kandidate e “Shqipëria Bëhet” kërkon të marrë mandatin, kërkesë KQZ-së për revokimin e dorëheqjes

Përplasja mes kandidatëve se cili do të marrë mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” është kthyer në një telenovelë.

Pas dy ditësh luftë mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, pas vendimit të dajës së këtij të fundit për të mos pranuar dorëheqjen në rast se i vjen radhë për të marrë mandatin, një tjetër kandidate ka njoftuar se është e gatshëm të bëhet deputete.

Bëhet fjalë për Kleana Xhuvelin, e treta në listë dhe e vendosur nga partia e Adriatik Lapajt, që i ka kërkuar KQZ-së të revokojë dorëheqjen e saj nga mandati.

Në letër ajo thotë se ky vendim vjen pas një rishqyrtimi të plotë të rrethanave dhe një konsultimi të gjerë me mbështetësit, si brenda ashtu edhe jashtë angazhimit të saj politik.

Letra drejtuar KQZ-së:

KËRKESË PËR REVOKIM DORËHEQJE

DREJTUAR: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
LËNDA: Revokim i dorëheqjes nga kandidimi për mandatin parlamentar

Të nderuar,

Në vijim të kërkesës sime të mëparshme për dorëheqje nga kandidimi për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, për Zgjedhjet Parlamentare të 11 majit 2025, ju informoj se kam vendosur të revokoj dorëheqjen e paraqitur me datë 11/05/2025.

Ky vendim vjen pas një rishqyrtimi të plotë të rrethanave dhe një konsultimi të gjerë me mbështetësit, si brenda ashtu edhe jashtë angazhimit tim politik. Kam bindjen se mund të vazhdoj angazhimin tim publik me përkushtim dhe përgjegjësi të plotë.

Ju lutem që kjo kërkesë për revokim të merret në konsideratë dhe të ndiqen procedurat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

Me respekt,
Kleana Xhuveli