Një mijë euro për të mos prishur tendën e lokalit, vetëdorëzohet në polici inspektori i IMT-së: Nuk e dija që isha në kërkim

Është vetëdorëzuar në polici punonjësi i IMT-së, Klajdi Zhilla, i cili ishte shpallur në kërkim për rastin e marrjes së 1 mijë eurove ryshfet për të mos hequr tendën e një lokali në Kombinat.

Mësohet se Zhilla është vetëdorëzuar dje në komisariat, i shoqëruar nga avokati i tij, Andi Seferi.

Zhilla ka thënë para uniformave blu se nuk e dinte se ai ishte shpallur në kërkim dhe se lajmin e ka marrë vesh përmes medias. Ndërkohë në pranga ka rënë edhe inspektori Geraldo Fuçia, si personi që kërkoi paratë nga pronari i lokalit.

Lidhur me këtë rast, është proceduar një tjetër inspektor si dhe menaxheri i lokalit.

Nga hetimet e bëra dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në lokale për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.