Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në Elbasan, ku një shpërthim i fuqishëm në një apartament në lagjen “Beqir Dardha” i ka marrë jetën një 83-vjeçare.
Ndërkohë kanë mbetur të lënduar dhe 10 persona të tjerë, të cilët janë transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Mes këtyre të fundit, siç njofton Ministria e Shëndetësisë, është edhe një fëmijë.
Nga dëshmitë e fqinjëve dhe të afërmve, forcave të shpëtimit i është raportuar mungesa e një 69-vjeçari, për të cilin ekipet në terren po vijojnë kërkimet.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi është dëgjuar vetëm pak çaste përpara se flakët të përfshinin me shpejtësi ambientet e brendshme të banesës, duke shkaktuar panik te banorët e pallatit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë së Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve të pallatit. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e shkakut të shpërthimit dhe vlerësimin e dëmeve materiale.