Një i arrestuar për masakrën me 4 të vrarë në Dobraç të Shkodrës

Masakra me 4 të vdekur në Dobraç të Shkodrës vijon të jetë pa autor ndërsa në prangat e policisë ka rënë personi që u ka shitur autorëve mjetin “Range Rover” që u përdor ditën e krimit dhe më pas u gjet i djegur nga uniformat blu.

Burime për mediat bëjnë me dije se arrestimi i tij është bërë në Shkodër dhe është mbajtur i fshehtë nga grupi hetimor, pasi mund t’i ndihmojë ata në zbardhjen e vrasjes.

Sa i takon vrasjeve, policia është duke vijuar hetimet, por deri tani nuk ka rënë asnjë në pranga. Pak ditë më parë, u pezulluan nga detyra 4 policë në Shkodër, pasi akuzohen se nuk penguan personin e tretë që ndodhej në mjetin që u sulmua me armë dhe që dyshohet se ishte Ibrahim Lici, i kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Kujtojmë se në atentatin mafioz të 30 tetorit humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati, Flutura dhe Bashkim Basha, me këta dy të fundit të cilët gjendeshin rastësisht në vendin ku ndodhi ngjarja dhe mbetën viktimë. Çifti i bashkëshortëve po lëviznin me motor, në momentin që u përplasën nga makina ku udhëtonin Lici dhe Bushati, pak pasi drejt tyre u qëllua me breshëri plumbash.

Hamza Lici dhe Flutura Basha humbën jetën në vend, Arlind Bushati disa orë pas atentatit. Ndërkohë Bashkim Basha dy ditë më pas.