Një gjyshe në sportelin e Postës: Priste bonusin, mori zhgënjimin!

“Të keqen nëna, kam edhe atë 50 mijë lekëshin e bonusit bashkë me pensionin”! Këto janë fjalët e një gruaje të moshuar, që duart dhe këmbët i dridhen, por që në mëngjes ka ardhur për të zënë radhën, pasi lekët i duhen për ushqime dhe ilaçe.

“Nuk ka asnjë bonus, urdhëro pensionin”, foli ftohtë sportelistja, teksa i zgjati nënës dy 50 mijë lekëshe, një 20 mijë lekësh dhe disa të holla, zhurma e të cilave ftohu edhe zemrën e nënës, që me kokën ulur i futi në xhep dhe u largua në heshtje.

Kishte shpresuar shumë se në Shkurt do kishte mundësi të blinte disa ushqime më shumë, apo ndoshta t’u jepte edhe ndonjë lekë nipërve e mbesave. Një dhuratë nga gjyshja, sado e vogël, është gjithmonë e veçantë.

Të gjitha ato mendime të krijuara nga premtimi i kryeministrit Rama, i cili u premtoi pensionistëve se do të merrnin bonusin e radhës. Por mesa duket, paskan qenë vetëm fjalë, pasi lekët janë “zhdukur”.

Sot, në 5 Shkurt, asnjë prej pensionistëve që i kanë tërhequr pensionet nuk e ka përfituar 50 mijë lekëshin e bonusit që iu ishte premtuar. Sërish, atyre do t’u duhet të përballen me shtrenjtimin e ushqimeve, me faturën e energjisë elektrike dhe me recetat e ilaçeve.

U rritën rrogat e deputetëve, u rritën rrogat e ministrave, u rrit rroga e Presidentit, u dyfishua rroga e gjyqtarëve, ndërsa pensioni i pensionistëve po rritet me qindarka.

Ky është fati i pensionistëve në një vend kur flitet me superlativa për rrogën mesatare dhe jo atë minimale, në një vend ku nuk ka një ligj të saktë për minimumin jetik, në një vend ku tenderat korruptivë dalin në pah ditë pas dite dhe në një vend ku përfitimet e pushtetarëve janë më të rëndësishme se jeta e të moshuarve.

*** Ripostim i disa muajve më parë, kur pensionistët mashtroheshin për një tjetër bonus