“Të keqen nëna, kam edhe atë 50 mijë lekëshin e bonusit bashkë me pensionin”! Këto janë fjalët e një gruaje të moshuar, që duart dhe këmbët i dridhen, por që në mëngjes ka ardhur për të zënë radhën, pasi lekët i duhen për ushqime dhe ilaçe.
“Nuk ka asnjë bonus, urdhëro pensionin”, foli ftohtë sportelistja, teksa i zgjati nënës dy 50 mijë lekëshe, një 20 mijë lekësh dhe disa të holla, zhurma e të cilave ftohu edhe zemrën e nënës, që me kokën ulur i futi në xhep dhe u largua në heshtje.
Kishte shpresuar shumë se në shtator do kishte mundësi të blinte disa ushqime më shumë, apo ndoshta t’u jepte edhe ndonjë lekë nipërve e mbesave, të cilët filluan edhe shkollën. Një dhuratë nga gjyshja, sado e vogël, është gjithmonë e veçantë.
Të gjitha ato mendime të krijuara nga premtimi i zv.ministres Belinda Balluku, e cila gjatë takimit me disa pensionistë pak muaj më parë, u tha se në shtator do të merrnin 50 mijë lekëshin e radhës. Por mesa duket, paskan qenë vetëm fjalë, pasi leketë janë “zhdukur”.
Sot, në 14 Shtator, asnjë prej pensionistëve që i kanë tërhequr pensionet nuk e ka përfituar 50 mijë lekëshin e bonusit që iu ishte premtuar. Sërish, atyre do t’u duhet të përballen me shtrenjtimin e ushqimeve, me faturën e energjisë elektrike dhe me recetat e ilaçeve.
Sot në Kuvend Erion Braçe njoftoi se nga 1 Tetori pensionet do të rriteshin me 8.6%, por e njëjta gjë u tha edhe për shtatorin. Kjo rritje ishte programuar të bëhej që në shtator, por ngeli vetëm premtim. Pensionistët vijojnë të presin që një ditë të kenë një pension të denjë për ato vite që punuan dhe i shërbyen këtij vendi që nuk i vlerësoi kurrë.
U rritën rrogat e deputetëve, u rritën rrogat e ministrave, u rrit rroga e Presidentit, u dyfishua rroga e gjyqtarëve, ndërsa pensioni i pensionistëve po rritet me qindarka.
Ky është fati i pensionistëve në një vend kur flitet me superlativa për rrogën mesatare dhe jo atë minimale, në një vend ku nuk ka një ligj të saktë për minimumin jetik, në një vend ku tenderat korruptivë dalin në pah ditë pas dite dhe në një vend ku përfitimet e pushtetarëve janë më të rëndësishme se jeta e të moshuarve.