Një ekip futbolli kryebashkiakësh në burg dhe me akuza për krime të rënda

Tendera, rrugë qorre që s’të çojnë askund, drogë, deri te shfrytëzimi apo te vepra e rëndë e përdhunimit janë disa nga akuzat pse 12 kryebashkiakë janë e privuar nga liria me urdhër të organeve ligjzbatuese duke çuar në ndërprerjen e mandateve të tyre.

Agim Kajmakut iu besua drejtimi i bashkisë së Vorës në vendoret e qershorit të 2019 me propozim të socialistëve, por mandati i tij do zgjaste vetëm dy muaj nga marrja e tij, në shtatorin e 4 viteve më parë. Përgjatë korrikut të po të njëjtit vit, do të ishte opozita, konkretisht Gazment Bardhi, ai që do të bëhej denoncuesi me zë dhe figurë se Kajmaku ka fshehur një dënim nën pseudonimin e Jorgo Totos në Greqi. Në 2003 Kajmaku u arrestua nga shteti helen nën akuzën e falsifikimit të parave, gjë të cilën e fshehu në formularin e dekriminalizimit përpara se të merrte postin e kryetarit të bashkisë.

Më 1 nëntor të vitit kur Kajmaku mori postin e drejtuesit të bashkisë së Vorës, KQZ e “zhveshi” nga kjo detyrë duke i hapur rrugë Prokurorisë ta arrestojë. Megjithatë, kjo nuk e pengoi të zgjedhurin e Vorës të shkarkojë nga detyra dy nënkryetarë e të caktojë në vend të tij krahun e tij të djathtë, Gentian Picarin duke rënduar edhe më pozitat e tij përpara ligjit. Akuzat që rëndonin mbi të shkuan në tre, e para shpërdorim detyre, e dyta falsifikim formularësh dhe treta ajo e përdorimit të postit pas lirimit nga ky i fundit. U deshën 8 muaj që insitucionet e drejtësisë të lokalizonin dhe të vinin në pranga Kajmakun, i cili gjendej në një spital privat duke u kuruar për një sëmundje të rëndë. Dy ditë zgjati qëndrimi i tij në qeli, pasi gjendja shëndetësore do të ishte shkak për fitimin e lirisë së humbur me vendim të gjykatës së Apelit duke u lënë në masën e detyrimit të paraqitjes.

Megjithatë, nuk shkoi shumë nga “larja e hesapeve” të Kajmakut me drejtësinë dhe në një tjetër shtet fqinj, Itali, ai së bashku me nipin e tij u arrestuan për posedim kokaine. 20 kilogramë kokainë çuan pas hekurave ish kreun e bashkisë Vorë, më 27 maj të 2022, pasi u vëzhgua për 24 orë rresht për 60 ditë nga forcat Karabiniere. Droga, e cila do të kishte një vlerë marramendëse po të shikonte dritën e tregut të zi, ishte “mbjellë” në vazo me lule. Ndërsa, në prill të këtij viti Agim Kajmaku u shpall i pafajshëm me vendim të Gjykatës së Tronto-s së bashku me nipin e tij.

 Telashet me drejtësinë i ka parë pak vite më herët edhe kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, i cili u arrestua me urdhër të Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës në fund të vitit 2013 për dy vepra penale. E para lidhet me shpërdorimin e detyrës, ndërsa e dyta me shkeljen e barazisë në tendera për një rrugë nga Valiasi i Ri në Laknas. Sipas organit të akuzës së kryeqytetit, Mziu kishte përdorur postin e tij si kryetar i bashkisë për t’i dhënë tenderin e ndërtimit të rrugës në mënyrë antiligjore një kompanie, e cil a nuk e kishte fituar atë.

Sipas prokurorisë ka qenë firma private që fitoi të drejtën për ta ndërtuar segmentin rrugor me vendim të Komisionit të Prokurimit Publik, ajo që e kallëzoi Mziun se e kishte skualifikuar nga kjo e drejtë, duke ia dhënë një tjetër kompanie ndërtuese lejen për të kryer konstruksionin. Tenderi “mollë sherri” që dënoi me dy vjet heqje lirie nga shkalla e parë e gjykatës së Tiranës më 10 prill 2015 ish- kreun e bashkisë Kamëz përllogaritej të shkonte në vlerën e 80 milionë lekëve. Përballja e përfaqësuesit të Partisë Demokratike do të vijonte në dyert e gjykatave të kryeqytetit për një periudhë që u shtri deri në vitin 2016, moment kur Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm nga akuzat që rëndonin mbi të.

 Elvis Rroshi, një tjetër drejtues bashkie me një të shkuar të dyshimtë që “rrëmbeu” votat e kavajsve gjatë zgjedhjeve lokale të 2015, u arrestua për deklarime të rreme në formularin e vetëdeklarimit, një vit më pas në qershor të 2016.  Ai kishte fshehur një dënim në Itali në vitin 1995 për veprën e rëndë penale të përdhunimit në kohën kur ishte refugjat në këtë vend, mirëpo vetë ai është shprehur se nuk ka patur dijeni për këtë vendim të gjykatës italiane, as nuk ka vuajtur ndonjë ditë burg. Në postimin e dorëheqjes nga posti i kryetarit, Rroshi shkruante se kur ishte 16 vjeç e po mbahej në kampin e refugjatëve në Kampobaso, u mor në pyetje pas një sherri të ndodhur brenda këtij vendqëndrimi, por nuk e njihte gjuhën italiane, ndaj kjo i ka pamundësuar atij të kuptonte çfarë i është thënë nga organet e drejtësisë, por zotohej se kurrësesi nuk e kishte konsumuar një vepër të tillë kriminale. Zyra e EUROPOL Tirana asokohe bëri me dije se Rroshi nuk rezultonte ta kishte kryer një dënim të tillë, por dosja u rihap.

Dy momente të tjera që i dhanë një dënim ish-kryetarit të bashkisë nga gjykata e shkallës së parë, ishin dënimi për shpërndarje dhe trafik droge në shtetin zviceran që u pasua me dëbim nga po ky vend.

Si përfundim, Elvis Rroshi, që ka përdorur 5 emra në shtetet ku ka jetuar në kontinetin e vjetër, u gjet fajtor nga Gjykata e Tiranës për deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit dhe u dënua me 60 orë punë komunitare, pasi pjesën e mbetur të dënimit që iu shkurtua në 5 muaj e kishte shlyer me kohën e qëndrimit në masën e sigurisë arrest shtëpie.

 Shpëtim Gjika që ka drejtuar qytetin e Vlorës nën siglën e PS për tre mandate rresht, u arrestua në vitin 2015 për shpërdorim detyre, fshehje të provave të krimit, falsifikim dokumentacioni dhe ndërtim të paligjshëm, duke përfunduar i dënuar me 4 vjet burg, për dy akuzat e fundit nga katër në total që hetuesit kishin ngritur ndaj tij. Sipas përfaqësuesve të organit procedues, Gjika në bashkëpunim me drejtoreshën e Planfikimit dhe Kontrollit të Territorit, Doriana Sulaj falsifikoi dokumentet e një mbledhjeje të KRRT. Shkurtimisht, Gjika u prangos për lejen e paligjshme të një pallati 11 katësh në Sheshin e Flamurit në qytetin bregdetar që ai drejtonte. Por vendimi i shkallës së dytë i vitit 2018 do ta rrëzonte atë të Gjykatë së Faktit duke e shpallur të pafajshëm Gjikën edhe nga dy akuzat për të cilat ai u dënua.

 Nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, Fatos Tushe, i bashkisë së Lushnjës, u dënua filimisht me 2 vjet e 4 muaj burgim me vendim të Gjykatës së Posaçme, por shkalla e dytë e kësaj gjykate e riktheu në burg ish- kryebashkiakun duke e dënuar edhe për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande me një 1 vit më tepër. Bashkë me 13 zyrtarë të bashkisë, të cilët u dënuan me shërbim prove, hetimet provuan se në bashkëpunim ata abuzuan përmes një tenderi në vlerën e 24 milionë lekëve që do të përdorej për ndërtimin e një kanali vaditës në fshatin Bishqethëm. SPAK vërtetoi se tenderi iu dha në vlerën më të lartë një kompanie, në një kohë kur ndërtimet u bënë nga një tjetër firmë me shpenzime më të ulëta.

 Fran Frrokaj, që mori bashkinë e Lezhës nga lokalet e 2015, u dënua nga Apeli i Shkodrës në tetor të vitit të 2022 bashkë me ish-kryetarin e qarkut Gjok Ndoka me 3 vjet burgim secili. Kjo gjykatë u uli nga një vit burgim dënimit të dhënë nga shkalla e parë, duke u hequr përfundimisht 3 vjet liri. Në bashkëpunim me 11 zyrtarë ata privatizuan 234 mijë e 548 metër katrorë tokë shtetërore ranishte te “Rana e Hedhun” në bregdetin e qytetit që Frrokajt i ishte besuar. Nga ky aksion SPAK ngriu 55 milionë euro pasuri që tashmë i përkasin shtetit shqiptar.

   Edhe kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla ra në “rrjetën” e drejtësisë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion në mars të këtij viti. Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka shkelur barazinë me tenderin e ujësjellësit në këtë bashki, tender ky që shkonte në 2.8 milionë euro. Bashkë me të në pranga ranë edhe 12 persona të tjerë, zyrtarë të bashkisë dhe anëtarë të komisionit të prokurimit publik. Aktualisht hetimet për të vijojnë, ndonëse ai pretendon se nuk e ka shkelur ligjin apo nuk i ka konsumuar veprat penale të cilat pretendon prokuroria.

Safet Gjici dha dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut vetëm një muaj e dy ditë pasi u zgjodh nga kuksianët për herë të dytë për të drejtuar bashkinë e Kukësit. Ai tashmë ndodhet në qeli pas publikimit të një video-skandali që bëri xhiron e rrjetit më 16 qershor të këtij viti, ku duket se kryebashkiaku në zyrën e shtetit po kryente marrëdhënie seksuale. Gjici u vu në pranga pas publikimit të një videoje të dytë, ku pasi kreu marrëdhënie me 40 vjeçaren Alma Kaçi, i premtoi kësaj të fundit edhe një tender për sterilizmin e qenve të rrugës. Të dy akuzohen nga organi i posaçëm i akuzës, SPAK për korrupsion aktiv dhe pasiv, akuza që mund të dënohen me nga 4 deri në 12 vjet burgim.

 Përdorimi i postit për favore seksuale është parë edhe në Bashkinë e Dibrës, ku kryetari Shukri Xhelili që e mbante këtë post prej një viti, u filmua nga një 20 vjeçare pasi në këmbim të një vendi pune në bashki, i kërkoi asaj favore seksuale. Megjithëse asnjëherë, Xhelili nuk i ka pranuar akuzat, ai u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në 2017 vetëm për korrupsion me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie me gjykim të shkurtuar. Po ashtu, Xhelilit iu mohua edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5 vjeçare. Ai ka konsideruar videon e shpërndarë në media si një manipulim për shkak të postit që ai mbante.

Një kryetar “në tentativë”, pasi nuk arriti asnjëherë të betohej ishte ai që u zgjodh nga shkodranët në vendoret e 30 qershorit 2019, Valdrin Pjetri. Në dokumentet e publikuara nga Partia Demokratike, ai kishte fshehur një dënim të 27 janarit të 2003 në Itali për trafik droge me 27 muaj burg dhe një gjobë 1500 euro. Po gjatë vitit që ai mori mandatin për të drejtuar bashkinë e Shkodrës, Pjetrit i ishte ndaluar hyrja në këtë shtet. Dënimin dhe dëbimin, Valdrin Pjetri nuk i kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit, gjë e cila u provua edhe nga Prokuroria e Përgjithshme disa muaj më pas.

I akuzuar për shpërdorim detyre në dy raste, në burg deri në përfundim të hetimeve gjendet edhe Vangjush Dako, ish- kreu i bashkisë së dytë më të madhe në vend, Durrësit. Dako e ka drejtuar këtë bashki për 3 mandate rresht nga 2007 në 2019 e njihet si një nga njerëzit më të pushtetshëm të zonës, por tashmë po përballet me drejtësinë pasi akuzohet se lejoi ndërtimin e një pallati, volumi i kateve të të cilit u rrit nga planifikimi fillestar. Kështu nga 7 kate që ishte parashikuar, pallatit iu shtuan edhe 4 të tjerë në paligjshmëri të plotë, gjë që çoi në dëmtimin e tij gjatë tërmetit të fuqishëm të 2019. Kanë qenë familjet që banonin aty, ato që depozituan një kallëzim në SPAK me pretendimin se objekti i ndërtuar në 2012 pësoi dëmtime të pa rikuperueshme. Rasti i dytë ka të bëjë me një tender për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare të Durrësit që i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm që përllogaritet të shkojë në 180 milionë lekë. Sipas Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, kjo shumë parash është përfituar padrejtësisht nga shoqëria projektuese.

I fundit qytetar i parë pjesë e bankës së të akuzuarve, është ai i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, ndaj të cilit SPAK mbylli hetimet ditë më parë dhe dërgoi dosjen për tu gjykuar nga togat e posaçme. Ai do të gjykohet për veprën e shpërdorimit të detyrës, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij, Durim Margjekaj dhe Ndoc Marku, të cilët akuzohen për “ Ndërtim të Paligjshëm”. 234 milionë lekë është dëmi i përllogaritur nga SPAK në buxhetin e shtetit për të cilin, Tuci dhe dy të tjerët dyshohen. Sipas hetuesve ai ka shpyllëzuar një zonë të madhe në bashkinë ku u zgjodh, duke ndërtuar një segment rrugor, për të cilën ai vetë thotë se i është kërkuar nga qytetarët e zonës.