Ka nisur këtë të hënë (14 Prill) shpërndarja e fletëve të votimit për Diasporën, që voton për herë të parë. Në total janë 245.953 emigrantë në 85 vende të botës, të cilët janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit.
Mësohet se sot janë nisur fletët e votimit për zgjedhësit jashtë vendit të qarkut Dibër dhe Berat.
Brenda çdo zarfi që do u dërgohet me postë shqiptarëve që jetojnë jashtë, ndodhet zarfi KQZ-së me fletën e votimit brenda, e cila është e vulosur. Po ashtu, brenda zarfit ndodhet një udhëzues se si qytetarët do të votojnë, si dhe një listë me kontaktet e korrierëve që mund të thërrasin pasi të kenë kryer procesin e votimit.
Kujtojmë se pak ditë më parë, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se vota e emigrantëve digjet, në rast se ajo futet në territorin e Shqipërisë pas datës 11 maj ora 19:00, që përkon me përfundimin e orarit zyrtar të votimit.