Nis rritja e çmimeve të shportës ushqimore, Ibrahimaj: Do të dalim në terren për monitorim

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se produktet e shportës ushqimore kanë nisur të reflektojnë rritjen e çmimeve në treg. Sipas saj, aktualisht janë 80 produkte bazë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet shtetërore.

Ibrahimaj bëri të ditur se në bashkëpunim me INSTAT është përzgjedhur një listë produktesh dhe një numër i kufizuar tregtarësh, mbi të cilët po ndiqet ecuria e çmimeve. Ajo theksoi se tashmë do të aktivizohen grupe monitorimi nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, të cilat do të dalin në terren për të verifikuar situatën konkrete.

Nëse situata do ta kërkojë, Ibrahimaj paralajmëroi se mund të merren masa të mëtejshme që lidhen drejtpërdrejt me shportën bazë të konsumit dhe me rritjen e përgjithshme të çmimeve në vend.

“Sa u takon ushqimeve, ne po monitorojmë një shportë me 80 ushqime dhe e vërteta është që kanë filluar të reflektohen në disa prej produkteve të shportës çmimet e rritura. Do të aktivizojmë një ekip, disa grupe monitorimi nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për të verifikuar këto çmime sepse ne kemi përzgjedhur në bashkëpunim me INSTAT këtë listë produktesh dhe një numër të limituar të tregtarëve. Tani do të dalim në terren për të monitoruar çmimet dhe reflektimin e furnizimeve me realitetin.. Nëse do të marrim vendime në të ardhmen, do të marrim vendime që lidhen me shportën bazë të konsumit, me rritjen e përgjithshme të çmimeve të konsumit. Ajo që duhet të garantojmë është që të mos ketë spekulime me rritje të çmimeve të cilat nuk reflektojnë çmimet e zhdoganimit”, tha Ibrahimaj.