Në seancën plenare të ditës së nësërme pritet të ngrihet vetëm me votat e socialistëve komisioni i posaçëm anti-korrupsion. Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi e konsideroi si një propagandë për të mbuluar fytyrën e zezë të Ramës nga korrupsioni.
Deklarata e tij u bë para se të mblidhej grupi parlamentar i PD. Rikujtojmë se në seancën e së hënës, opozita nuk mori pjesë në votimin për miratimin e rezolutës antikorrupsion të propozuar nga Rama ndërsa deputetët Agron Shehaj dhe Dashnor Sula, votuan kundër.
“Më gjeni një rast kur Rama ka drejtuar gishtin ndaj një të korruptuari dhe ka thënë do ta largoj nga puna se është i korruptuar. Ndërkohë, çdo aferë për korrupsion të denoncuar nga opozita me fakte i ka dalë për zot. Rasti është ky. Prandaj s’jemi bërë pjesë e këtij procesi, duke ritheksuar se ka mungesë vullneti nga mazhoranca dhe është propagandë dite për të mbuluar fytyrën e zezë nga korrupsioni të Ramës. Ne jemi për luftë pa kompromis ndaj komisionit, luftë reale jo luftë me fjalë. Nëse dëgjoni që thotë do luftoj korrupsionin, prisni edhe një aferë më të madhe në ditët në vijim”, tha Bardhi.
Kundër ka qenë edhe deputeti Ervin Salianji, i cili po ashtu, si Bardhi e cilësoi këtë komision si propagande. Mëtej tha se opozita mund të përdoret si instrument për të luftuar SPAK-un nga Edi Rama.
“Për mua nuk duhet të kemi asnjë pjesëmarrje në një komision që u bë në mënyrë të njëanshme, që u propozua si platformë elektorale nga Rama. Është hedhje hi sysh për qytetarët dhe ndërkombëtarët në gjithë situatën që ndodhen sot. Të besosh që Edi Rama, që ka ngritur një sistem korrupsioni dhe krimi të ngritur në piedestal dhe të future në institucionet më të rëndësishme, ka ndonjë merak për reformë. Nuk besoj që PD dhe opozita mund të përdoret si instrument për të luftuar SPAK nga Edi Rama. Ky është komision propagandistik. Nuk është bojkot, ne kemi marrë pjesë në reformën në drejtësi, në reformën territoriale“- tha Salianji.
Nesër mazhoranca pritet ta miratojë Komisionin vetëm me votat e saj, teksa të shumta janë akuzat dhe dyshimet se ky komision po ngrihet për të frenuar SPAK-un, që po vijon arrestimet deri te zyrtarët më të lartë të pushtetit.