Nga Nathalie Tocci “Politico.eu”
Ndërsa udhëheqja e Bashkimit Evropian është në muajt e saj të fundit, teksa zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë planifikuar në gjysmën e parë të vitit 2024, ia vlen të reflektohet mbi rolin global të bllokut, dhe mbi mësimet që duhen nxjerrë nga luftërat dhe krizat e 4 viteve të fundit.
Pra si po ecën në fakt Evropa globale, në sfondin e ambicieve të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen, për një “Komision Gjeopolitik”, të shpallur që në fillim të mandatit të saj? Le ta nisim analizën me lajmin e mirë:politika e Evropës ndaj pushtimit rus të Ukrainës, ka paraqitur të gjithë elementët e një politike të jashtme të suksesshme.
Sigurisht, kjo s’do të thotë se Evropa do të ketë domosdoshmërisht sukses në arritjen e qëllimeve të saj apo që Ukraina do ta fitojë betejën e saj ekzistenciale të mbijetesës kundër Rusisë perandorake. Tek e fundit, Evropa është një lojtare vendimtare, por nuk është e vetmja.
Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe në një farë mase Kina,po luajnë role kyçe në këtë ekuacion. Megjithatë, Evropa është një lojtare e rëndësishme, dhe rrjedhimisht një politikë evropiane efektive, ndonëse e pamjaftueshme në përgjithësi, është sigurisht një kusht i domosdoshëm për suksesin e Ukrainës në këtë luftë.
Kjo politikë evropiane është e mbështetur mbi 3 shtylla. Së pari, ka një vizion i qartë:Kur flitet fjalë për Ukrainën, Evropa e di se çfarë dëshiron. Ajo do një Ukrainë të lirë, të pavarur dhe demokratike të ngulitur në një rend të sigurisë evropiane, ku do të respektohen parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, sovraniteti dhe integriteti territorial.
Së dyti BE-ja ka mbetur e bashkuar në ndjekjen e qëllimit të saj. Duke pasur parasysh natyrën tradicionalisht përçarëse të Rusisë në debatin brenda-evropian, pasojat e pabarabarta të luftës në të gjithë BE-në dhe dallimet e qëndrueshme në perceptimet e kërcënimit kombëtar dhe debatet publike nëpër vendet evropiane, ky nuk ishte një përfundim i paramenduar.
Megjithatë, ndarja është gjithmonë aty pranë, dhe fakti që kryeministri sllovak Robert Fico i është bashkuar tani qasjes së Hungarisë së Viktor Orban mbi këtë çështje, ofron arsye për t’u shqetësuar. Megjithatë, rikthimi i Donald Tusk në krye të Polonisë, e tejkalon disi atë lajm të keq dhe është një burim i madh sigurie.
Së fundi, Evropa ka përdorur në këtë front një sërë instrumentesh politike gjithnjë e më mbresëlënëse. Nga rritja e ndihmës ushtarake dhe ekonomike për Kievin, tek shkëputja nga Rusia kur bëhet fjalë për energjinë, duke pritur miliona refugjatë ukrainas dhe duke ringjallur idenë e zgjerimit të unioni.
Për Ukrainën, BE-ja qëndron e bashkuar pas një vizioni dhe po ndjek një strategji të qartë për ta arritur atë. Por këtu mbaron edhe lajmi i mirë. Dikur një model i “qasjes së integruar të BE-së ndaj konflikteve dhe krizave”, Evropa gjeopolitike filloi të luhatet përballë krizës në Sahel. Epidemia e grushteve të shtetit në mbarë këtë rajon, ka nxjerrë në pah dobësinë e qasjes së bllokut. Franca është duke u dëbuar nga andej, ndërsa BE-ja është e çoroditur dhe nuk po di
se çfarë të bëjë. Pas grushtit të shtetit në Niger, Evropa e mbështeti qasjen e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore, duke pretenduar se në këtë mënyrë po ecën më në fund në rrugën e duhur, duke mbajtur premtimin e saj për “zgjidhje afrikane për problemet afrikane”.
Por sado tërheqës që mund të tingëllojë ky slogan, ai fsheh faktin se kur bëhet fjalë për Sahelin, BE-ja nuk ka më asnjë ide se çfarë dëshiron. Më pas erdhi kriza në Kaukaz, ku në parim Evropa e dinte fillimisht se çfarë donte. Askush nuk e kundërshtoi integritetin territorial të Azerbajxhanit, përfshirë atë në Nagorno-Karabak.
Por të gjithë i kundërshtuan mjetet e tij për ta siguruar këtë nëpërmjet një rrethimi 10-mujor dhe veprimeve ushtarake që pasuan. Po ashtu, denoncuan Azerbajxhanin për spastrimin etnik të thuajse të 120.000 armenëve nga enklava e kontestuar. Po ashtu Evropa kundërshton idenë që Bakuja të krijojë një korridor për në enklavën e saj Nakhiçevan nëpërmjet mjeteve ushtarake, sepse kjo është në kundërshtim me sovranitetin e Armenisë.
Në këtë rast, BE-ja përdori disa nga levat e saj diplomatike. Presidenti i Këshillit Evropian Sharl Mishel shpenzoi një kapital politik të konsiderueshëm duke ndërmjetësuar midis Jerevanit dhe Bakusë. Ndëraq Brukseli dërgoi në Armeni një mision monitorimi civil.
Megjithatë, instrumentet e politikës së jashtme evropiane në Kaukaz, janë shumë të dobëta për të kontribuar në përmbushjen e synimeve të Evropës. Në dallim nga Ukraina, ndihma ekonomike e BE-së në këtë rajon është e kufizuar. Ndihma ushtarake gati nuk ekziston fare (përveç Francës), ndikimi energjetik i Azerbajxhanit mbi disa vende anëtare të unioni është shumë i rëndësishëm.
Dhe për momentin, zgjerimi i BE-së atje është jashtë çdo lloj diskutimi.
Pra në rastin e Kaukazit, BE-ja ka vërtet një vizion, por aktualisht i mungojnë mjetet për ta vënë atë në zbatim. Së fundi, dhe një në mënyrë katastrofike, shpërtheu kriza e re në Lindja e Mesme. Konsensusi evropian mbi konfliktin izraelito-palestinez, ishte ndërtuar me kujdes gjatë disa dekadave, duke u bashkuar në fund të viteve 1990 dhe në fillimin e viteve 2000 për të formuar një formulim të arsyeshëm, të ekuilibruar dhe relativisht të detajuar mbi një zgjidhjeje me 2 shtete, bazuar në kufijtë e vitit 1967.
Ky formulim garanton sigurinë e Izraelit si shtet, vetëvendosjen për Palestinën dhe respektimin e të drejtave për të gjithë. Por ky konsensus është dëmtuar prej disa kohësh, me disa vende anëtare që po anojnë gjithnjë e më shumë drejt Izraelit, që nga ana tjetër e braktisi gjithnjë e më hapur zgjidhjen me dy shtete.
Për vite me radhë, Bashkimi Evropian shmangu përballjen me konsensusin e saj problematik, duke e pranuar në mënyrë të tërthortë idenë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu se çështja palestineze mund të anashkalohej – një ide kjo e miratuar fillimisht nga ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump përmes Marrëveshjeve të Abrahamit, dhe më pas nga presidenti aktual Joe Biden - përmes tentativës për normalizimin e raporteve izraelito-saudite.
Por katastrofa që po ndodh në Lindjen e Mesme që nga sulmet e Hamasit në 7 tetor, dhe reagimi ushtarak i Izraelit ka zbuluar të vërtetën e qartë se çështja palestineze nuk mund të anashkalohet apo injorohet. Po ashtu, ajo ka nxjerrë në pah të vërtetën e dhimbshme se sa e ndarë është bërë Evropa.
Ndarja e trefishtë dhe tejet patetike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vetëm disa orë pasi Këshilli Evropian kishte shfaqur një qasje të dobët por të bashkuar ndaj këtij konflikti, e ekspozoi Evropën ndaj skenarit më të keq. Në Lindjen e Mesme, Evropa kishte një vizion, që ishte ai që mund të siguronte një paqe të qëndrueshme.
Dhe ajo ende ka fuqinë ekonomike (përballë palestinezëve) dhe tregtare (nëpërmjet Izraelit) për të kontribuar në zbatimin e një vizioni të tillë, megjithëse i ka munguar gjithnjë guximi për ta përdorur atë. Me sa duket ndërsa Gaza vazhdon të digjet, ne evropianët preferojmë të grindemi mes nesh. Qasja e Evropës ndaj Ukrainës, kishte premisën të tregonte se çfarë mund të nënkuptojë një Evropë gjeopolitike. Tani kriza e re në Lindjen e Mesme, ka zbuluar rënien e saj.
Shënim:Nathalie Tocci, drejtoreshë e Istituto Affari Internazionali në Itali dhe profesore me kohë të pjesshme në Institutin Universitar Evropian.