2 të moshuar kanë rënë pre e një grabitjeje me dhunë në Finiq. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, ku dy persona ende ta paidentifikuar kanë hyrë me forcë në një banesë dhe kanë kryer një grabitje.
Mësohet se gjatë grabitjes, ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj pronarit të banesës 78 vjeç dhe bashkëshortes së tij.
Çifti i të moshuarve ka pësuar lëndime nga dhuna dhe janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Sa u takon autorëve, janë ende të paidentifikuar nga uniformat blu. Grupi hetimor ndërkohë ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje.
“Rreth orës 01:00, në fshatin “Lefter Talo”, Finiq, dy shtetas të paidentifikuar kanë hyrë me forcë dhe kanë vjedhur një shumë parash, në banesën e shtetasit S. K., 78 vjeç.
Autorët dyshohet se gjatë kryerjes së vjedhjes kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit S. K. dhe bashkëshortes së tij, Dh. K., 79 vjeçe. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.