Nga negociatat me BE te Samiti i NATO, Rama bën bilancin: Deri në 2027 do përfitojmë 1 mld euro

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët bëri bilancin politik të qeverisë dhe arritjeve të vendit përgjatë vitit 2024.

Ai pohoi se hapja e grupkapitujve me Bashkimin Evropian, është procesi më domethënës, i cili sipas tij ka shënjuar arritjen më të madhe të vendit.

“Po e nis me faktin më domethënës të vitit që po lëmë pas, çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, praktikisht të dy grupkapitujve të rëndësishëm, duke nisur nga themelorët, dhe pastaj marrëdhëniet me jashtë. Por është me rëndësi të theksoj diçka që me siguri e keni dëgjuar, që ky proces i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës, intensiteti, dhe cilësia, do të ishte i pamundur nëse një skuadër e madhe kombëtare e Shqipërisë e qindra, qindra punonjës të administratës publike, drejtues, anëtarë grupesh, nuk do të kishin bërë më parë punën e shkëlqyer me procesin screening ose me diagnozën e gjithë sistemit të republikës së Shqipërisë në të gjitha fushat.Për hir të së vërtetës ecuria e screening, vlerësimet befasuese për mua personalisht të KE të qeverive që ishin tipikisht përfaqësuese të vendeve më spektike për performancën e skuadrës tonë kombëtare janë një shtysë, motivim, fakt shumë domethënës për çfarë është bërë në gjithë këto vite dhe cila është në të vërtetë administrata publike e Republikës së Shqipërisë.”, tha ai.

Kryeministri theksoi se deri në vitin 2027, Shqipëria do të përfitojë rreth 1 miliard euro shtesë falë konkurrencës së saj përmes projekteve, të cilat na afrojnë me familjen europiane.

“Shqipëria ka dalë pas 29 vitesh nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës. Nuk jemi më një vend në monitorim të plotë. Nga sot deri në vitin 2027 do të marrim rreth 1 miliard euro”, theksoi Rama.

Gjatë fjalës, Rama pohoi se Shqipëria është gati për të mbajtur Samitin e NATO-s në vitin 2027, ndërsa shtoi se ky zhvillim vjen për shkak të përmirësimit të imazhit të vendit.

“E pamendueshme, është mikpritja në Tiranë e samitit të NATO-s, në 2027, ne kemi filluar punën, së bashku me NATO-n për një inspektim të kushteve të infrastrukturës dhe logjistikës në Tiranë. Ardhja e presidentit të SHBA dhe udhëheqësve të NATO-s, është mesazh lidhur me Shqipërinë, pozicionin tonë politik. Ne kemi peshë modeste, por sot trajtohemi si të barabartë, në aspektin formal, por me një respekt që asnjëherë më parë nuk e kemi pasur në historinë tonë. Kjo është panoramë e Shqipërisë në sytë e Evropës dhe botës, e cila nuk është një fasadë, por rezultat i jashtëzakonshëm, i një pune të jashtëzakonshme, në të gjitha drejtimet’, tha ai.