Procesi i regjistrimit të shqiptarëve në diasporë vijon me ritme të shpejta, ku deri më tani kanë arritur të marrin të drejtën e votës mbi 186 mijë persona, ndërkohë që më shumë se 36 mijë të tjerëve u është refuzuar kërkesa për arsye të ndryshme.
Teksa numri më i lartë i regjistrimeve është nga shtetet ku shqiptarët janë më të shumtë, si Itali, Greqi dhe Gjermani, në të dhënat e KQZ-së nuk mungojnë edhe tentativa për regjistrim nga shtete që disa prej nesh nuk i kemi dëgjuar kurrë.
I tillë ishte rasti që Media Ditari solli dje, ku 168 shqiptarë kishin kërkuar të regjistroheshin nga Ishulli i Shën Helenës, që ndodhet Oqeanin Atlantik Jugor, rreth 2,000 km larg bregdetit të Afrikës. Ky ishull vullkanik ka afërsisht një popullsi prej 4500 banorësh, nga të cilët çuditërisht minimalisht 168 janë shqiptarë, ndërkohë që kanë marrë të drejtën e votës 68 prej tyre.
Ndërkohë, nëse do të shohim të dhënat e KQZ-së, do të gjejmë edhe tentativa për t’u regjistruar nga Ishujt Kajman, Eritrea, ku lidhja me internetin është shumë e vështirë apo Ishujt Kuk. Ky i fundit është një ishull-shtet që qeveriset vetë, por është nën administrimin e Britanisë së Madhe, që gjendet në verilindje të Zelandës së Re dhe ka një popullsi prej afro 21 mijë banorësh.
Por, nuk përfundon këtu, pasi në të dhënat e KQZ-së ka një larmishmëri shtetesh, të cilat vijojnë me Shën Bartolome, Ishujt Solomon, Ishujt Marshall, Granada, Aruba, e deri te Ishulli i Njeriut.
Nga Ishulli i Njeriut kanë provuar të regjistrohen 7 shqiptarë, por deri më tani asnjë prej tyre nuk ka arritur të marrë të drejtën e votës. Ky ishull është një varësi vetëqeverisëse e Kurorës Britanike në Detin Irlandez midis Britanisë së Madhe dhe Irlandës.
Regjistrimet vijojnë me Guana Franceze, Guadalupe, Ishujt e Virgjër në SHBA, Ishujt e Virgjër në Britani, me këtë të fundit që ka sjellë 142 kërkesa për regjistrim dhe janë miratuar 80 prej tyre. Ishujt e virgjër Britanikë janë një territor Britanik përtej Detit, i cili gjendet në Karaibe, në lindje të Porto Rikos.
Por, shqiptarë paska edhe në Anguila, një territor britanik jashtë shtetit në Karaibe. Me një popullsi rreth 15 mijë banorë, nga Anguila kanë aplikuar 141 shqiptarë, prej të cilëve 60 kanë marrë miratimin e KQZ-së.
Ajo që bën çudi është fakti se ka më shumë kërkesa të miratuara nga shqiptarë që jetojnë në Anguila dhe Ishujt e Virgjër Britanikë sesa të shqiptarëve në Kosovë. KQZ ka miratuar 47 kërkesa të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë.
Shifra të tilla ngrenë sadopak dyshime mbi procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë vendit, por KQZ ka deklaruar se i ka marrë të gjitha masat për verifikimin e saktë të çdo shtetasi shqiptar.
Epo, siç thonë: Shqiptarë gjen në çdo anë të botës!
